Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Dragashin. Imami i fshatit Zlipotok, Gazmend Tahirovci, mbeti i vrarë pas një mosmarrëveshje me B.H. Ky i fundit bashkë me babain e tij, u arrestuan nga Policia e Kosovës.
Familja Tahirovci në Zlipotok ka hapur dyert për kryeshëndosh.
Kjo meqë mbrëmjen e së hënës, i goditi një tragjedi.
Në oborrin e shtëpisë së tyre, i vrarë mbeti kryefamiljari, Gazmendi.
E gjithë ngjarja ndodhi pas një përleshje, ku imami i fshatit u godit më mjet të mprehtë.
I dyshuar për këtë rast, është një bashkëfshatar i tij.
Me këtë të fundit, sipas familjarëve të viktimës, mosmarrëveshjet nisën një vit më parë.
Kushëriri i imamit, thotë se i dyshuari B.H, e kishte kërcënuar të ndjerin.
Ndërsa e gjithë mosmarrëveshja nisi për një arë në fshat.
Të tronditur me këtë rast thonë se janë edhe në Bashkësinë Islame në Dragash.
Këta të fundit shtojnë se rasti nuk kishte të bënte me punën si imam.
E pas disa orësh në arrati, Policia e Kosovës, arriti ta lokalizonte dhe ta arrestonte të dyshuarin.
Ndërsa nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, shtuan se nën pranga përfundoi edhe babai i B.H.
“Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.H., është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, është ndaluar për 48 orë edhe babai i tij, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Mosdhënia e ndihmës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë themelore të Prizrenit.
Ndryshe, Prokuroria njoftoi se do të parashtrojë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve. /tëvë1
