Vrasja e rreshterit Lika, prokurori: Pamjet dëshmojnë se ishte e planifikuar

Vrasja e rreshterit Lika, prokurori: Pamjet dëshmojnë se ishte e planifikuar

Gjashtë të akuzuarit për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, kanë mohuar sërish fajësinë, ndërsa Prokuroria ka paraqitur versionin e saj të ngjarjes, duke pretenduar se bëhej fjalë për një vrasje të planifikuar, e realizuar me role të ndara mes të pandehurve.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Ferizaj, prokurori Ismet Rrahmani tha se provat materiale dhe video-incizimet e siguruara mbështesin pretendimin se krimi ishte organizuar paraprakisht dhe se të akuzuarit kishin ndihmuar autorin e dyshuar para, gjatë dhe pas kryerjes së vrasjes.

Sipas tij, 1 prilli i vitit 2025 kishte nisur si një ditë e zakonshme pune për rreshterin Lika.

“Pas përfundimit të orarit të punës në Kaçanik, rreth orës 22:54, ai u nis drejt banesës së tij, por nuk arriti kurrë në destinacion. Arsyeja ishte se u privua nga jeta me armë zjarri nga i mituri Rejhan Bela”, deklaroi prokurori Rrahmani.

Ai shtoi se analiza e pamjeve të kamerave të sigurisë ka mundësuar identifikimin e personave të përfshirë në rast.

“Sipas provave të siguruara, Rejhan Bela është autori i drejtpërdrejtë i vrasjes, ndërsa pesë të pandehurit e tjerë kanë vepruar në bashkëkryerje, duke i ofruar ndihmë para, gjatë dhe pas ekzekutimit të krimit”, tha Rrahmani.

Megjithatë, ashtu si në seancën fillestare, të gjashtë të akuzuarit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamant Gashi, janë deklaruar sërish të pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë mbi ta.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, u vra më 1 prill 2025 në Kaçanik, pak çaste pasi kishte përfunduar orarin e punës.

Ai u qëllua me armë zjarri teksa po hynte në ndërtesën ku banonte.

Related Articles