Prokuroria Themelore e Gjakovës ka njoftuar se është iniciuar rast për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, pasi gjatë ditës së diel, tre qytetarë në Rahovec, u përballen me një tentim grabitjeje nga një person i maskuar, i cili dyshohet se i qëlloi ata me armë zjarri në drejtim të makinës së tyre.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Drin Domi, tha për Klankosova.tv se Prokurori i Shtetit ka autorizuar hetuesit policor që të ndërmerren gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbulimit dhe identifikimit të kryesit/ve, të veprës penale në fjalë dhe zbardhjes së plotë të rastit.
Ndërkaq, sipas policisë, tre burra kanë njoftuar se, derisa po lëviznin me veturë, kanë hasur në një pengesë të vendosur në rrugë. Pasi kanë ndaluar dhe kanë dalë nga automjeti për ta larguar pengesën, një person i maskuar dhe i armatosur me armë të gjatë u është afruar duke i kërcënuar dhe duke u kërkuar para.
Bazuar në të dhënat e policisë, viktimat kanë refuzuar kërkesën e të dyshuarit, janë rikthyer në veturë dhe kanë tentuar të largohen nga vendi i ngjarjes. Në ato momente, i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit, duke goditur rrotën e pasme.
