Përplasja për Ngushticën e Hormuzit vijon mes Iranit dhe SHBA-ve.
Irani po kërkon që anijet luftarake amerikane të ndalohen nga kalimi në Ngushticën e Hormuzit, duke e kthyer kontrollin e kësaj rruge strategjike detare në një nga pikat kryesore të negociatave për rihapjen e saj.
Teherani po e përdor negociatën për Hormuzin si një mundësi për të kufizuar praninë ushtarake amerikane në Gjirin Persik, ndërsa bisedimet ndërmjetësuara nga Omani për rihapjen e ngushticës kanë hasur pengesa.
Zyrtarët amerikanë kanë bërë të qartë se Washingtoni nuk do të pranojë kufizime iraniane, tarifa apo pagesa për përdorimin e ngushticës. Sipas tyre, çdo marrëveshje duhet të garantojë kalimin e lirë të anijeve.
Irani kërkon kontroll më të madh mbi Hormuzin
Sipas raportimeve, kërkesat e Teheranit përfshijnë ndalimin e kalimit të anijeve luftarake amerikane dhe izraelite, si dhe kufizime ndaj anijeve të lidhura me shtete që kanë ndërmarrë veprime kundër Iranit.
Një agjenci e lidhur me Gardën Revolucionare ka raportuar gjithashtu se Irani kërkon të ketë rol kryesor në menaxhimin e navigimit dhe trafikut detar në ngushticë.
Megjithatë, ndërmjetësit kanë theksuar se këto kërkesa nuk janë pjesë e marrëveshjes së propozuar Iran-Oman dhe se negociatat vazhdojnë.
Për Teheranin, kontrolli mbi Hormuzin është bërë një çështje strategjike. Irani ka krijuar edhe një strukturë të posaçme për menaxhimin e ngushticës dhe ka kërkuar që operatorët detarë të regjistrohen dhe të paguajnë për kalimin.
SHBA: Nuk do të pranojmë bllokim
Administrata amerikane kërkon që çdo marrëveshje të garantojë qarkullimin pa pengesa dhe pa tarifa në Ngushticën e Hormuzit.
Presidenti Donald Trump ka pranuar se kalimi i anijeve në këtë zonë mbetet i rrezikshëm, pasi edhe një incident i vetëm mund të shkaktojë pasoja të mëdha për transportin ndërkombëtar.
Nga pikëpamja ushtarake, ekspertët vlerësojnë se Irani nuk ka kapacitet të sigurt për t’ia mohuar plotësisht SHBA-ve kalimin nëse Washingtoni vendos të dërgojë anije luftarake përmes ngushticës.
Megjithatë, kërkesat maksimaliste të Teheranit mund të jenë pjesë e një strategjie negociuese për të testuar gatishmërinë e administratës Trump për të vazhduar konfliktin apo për të kërkuar një dalje diplomatike.
Një pikë kyçe për ekonominë globale
Ngushtica e Hormuzit është një prej pikave më të rëndësishme të transportit energjetik në botë.
Rreth një e pesta e naftës globale kalon zakonisht përmes saj, ndërsa nëpër këtë korridor transportohen edhe sasi të mëdha të gazit natyror të lëngshëm nga Katari.
Një kufizim i qëndrueshëm i trafikut do të kishte pasoja për çmimet e energjisë, tregtinë globale dhe ekonomitë e vendeve të Gjirit.
Shtetet arabe eksportuese të energjisë janë veçanërisht të shqetësuara se një marrëveshje e tillë mund t’i japë Iranit një rol të përhershëm në menaxhimin e një korridori jetik për ekonomitë e tyre.
Prania amerikane në Gjirin Persik nën presion
Prania ushtarake amerikane në Gjirin Persik daton që nga viti 1971 dhe është zgjeruar ndjeshëm gjatë dekadave të fundit.
SHBA-ja ka pasur dhjetëra mijëra trupa në baza në vende si Bahreini, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Por sulmet iraniane ndaj disa prej këtyre objekteve kanë detyruar Pentagonin të ripozicionojë forcat dhe të mbështetet më shumë te instalimet jashtë Gjirit.
Sipas analistëve, kjo tregon se lufta ka ndikuar tashmë në mënyrën se si SHBA-të e organizojnë praninë e tyre ushtarake në rajon.
Vendet e Gjirit kërkojnë alternativa
Përballë pasigurisë, shtetet e Gjirit po shqyrtojnë mënyra për të reduktuar varësinë nga Hormuzi.
Mes alternativave janë zgjerimi i tubacioneve drejt Detit të Kuq dhe Gjirit të Omanit, si dhe rritja e kapaciteteve të magazinimit të naftës jashtë rajonit.
Megjithatë, zyrtarët rajonalë paralajmërojnë se rrugët alternative nuk do të mjaftojnë nëse nuk arrihet një marrëveshje e qëndrueshme paqeje, pasi infrastruktura energjetike e vendeve të Gjirit mund të mbetet objektiv i sulmeve.
Për momentin, e ardhmja e Ngushticës së Hormuzit mbetet një nga çështjet më të ndjeshme të negociatave mes Iranit dhe SHBA-ve. Një marrëveshje që i jep Teheranit rol të përhershëm në kontrollin e trafikut mund të ndryshojë ndjeshëm ekuilibrin ushtarak, energjetik dhe ekonomik në Gjirin Persik.
