Vezir Haziraj u dorëzua sot në polici, pas 8 ditësh qëndrimi në arrati, si i dyshuar për disa vepra penale.
Ai u intervistua për ca çaste në prani të avokatit mbrojtës, raporton IndeksOnline.
Në procesverbalin e siguruar nga IndeksOnline mësohet se avokati i Hazirajt, Asdren Mekaj, ka kërkuar që klientit të tij t’i bëhet ekzaminimi, pasi ky i fundit është në gjendje të rënduar emocionale.
Haziraj deklaroi përpara ekipit hetues se është duke përdorur medikamente si tramadol dhe diazepam, të cilat zakonisht shfrytëzohen si analgjetik dhe qetësues.
Avokati Mekaj ka deklaruar për IndeksOnline se çështja aktualisht ndodhet në fazë fillestare.
“Për momentin nuk do të ketë deklarim të detajuar lidhur me rrethanat e rastit. Çështja ndodhet ende në fazën fillestare dhe, në këtë moment, prioritet i mbrojtjes është garantimi i plotë i të drejtave të të mbrojturit, si dhe vlerësimi i rrethanave relevante që lidhen me gjendjen e tij dhe nevojën për një vlerësim profesional.
Në këtë drejtim, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për Policinë e Kosovës për profesionalizmin, korrektësinë dhe qasjen e treguar gjatë trajtimit të këtij rasti. Bashkëpunimi institucional dhe respektimi i të drejtave të personit të përfshirë janë veçanërisht të rëndësishme në një fazë të tillë të procedurës” tha Mekaj.
Ai shtoi se informacionet e mëtutjeshme do të ndahen pas përfundimit të vlerësimeve përkatëse dhe në funksion të respektimit të plotë të interesave dhe të drejtave të të mbrojturit.
Në njoftimin e sotëm, Policia e Kosovës deklaroi se Haziraj “duke e parë se nuk kishte mundёsi largimi ёshtё dorёzuar dhe gjithçka ka shkuar pa ndonjё incident”.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, deklaroi për IndeksOnline se pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, Haziraj është ndaluar për 48 orë.
“Brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore, për çka do ju mbajmë të informuar” përfundoi Nikçi.
Vezir Haziraj prej kohësh njihej si person problematik në Istog dhe jo vetëm, teksa për disa raste të ndryshme penale kishte pasur edhe dosje në polici./
