Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se Hashim Thaçi duhet të rikthehet në postin e Presidentit të Kosovës pas përfundimit të procesit gjyqësor ndaj tij.
Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se deklarata e tij e një dite më parë, se Thaçi është presidenti që i duhet Kosovës, ka marrë mbështetje edhe nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Sipas Tahirit, më 16 shtator, pas përfundimit të procesit, Thaçi duhet të rikthehet në Zyrën e Presidentit.
“Menjëherë pas përfundimit të procesit më 16 shtator, Presidenti Thaçi duhet të rikthehet në Zyrën e Presidentit. Ky do të ishte një korrigjim i vonuar i kësaj padrejtësie të zgjatur”, ka shkruar ai.
Tahiri ka përmendur edhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke thënë se Kosova po i pret ata.
“Kosova po e pret Presidentin Thaçi, Kryetarin Veseli, bacën Jakup, Rexhën dhe bashkëluftëtarët e tyre”, ka shkruar Tahiri.
