Adoleshentët kinezë po përdorin barna për t’iu larguar realitetit

Adoleshentët kinezë po përdorin barna për t’iu larguar realitetit

Gjithnjë e më shumë adoleshentë në Kinë po përdorin ilaçe me recetë në doza të larta, jo për trajtim mjekësor, por për të harruar përkohësisht stresin, presionin e shkollës dhe problemet familjare, ka shkruar BBC.

Xiaomei*, një nxënëse 14-vjeçare me rezultate të larta, nisi të merrte ilaçe kundër kollës pasi një djalë më i madh i tha se do ta ndihmonin të qetësohej. Ajo i bleu online, edhe pse ilaçi kërkonte recetë.

Në fillim ndjeu marramendje, por më pas u mësua me ndjesinë e mpirjes. Kur përballej me provime, rezultate të dobëta apo debate me prindërit, ajo merrte doza të mëdha ilaçesh.

“Kur ndihesha shumë nën presion nga mësimet, kur nuk dilja mirë në provime apo edhe kur grinde­sha me prindërit, merrja këto ilaçe. Po ikja nga realiteti”, tregoi ajo për BBC.

Për rreth dy vite, Xiaomei provoi lloje të ndryshme ilaçesh, të cilat i gjente përmes internetit dhe grupeve online. Disa prej tyre mund të shkaktojnë halucinacione, konfuzion, humbje të koordinimit dhe probleme të rënda shëndetësore nëse merren në doza të larta.

BBC ka gjetur histori të ngjashme nga dhjetëra adoleshentë në grupe online. Shumë prej tyre duket se kërkojnë të njëjtën gjë: t’i shpëtojnë presionit.

Presioni i madh i shkollës

Në disa shkolla elitare në Kinë, nxënësit përballen me konkurrencë të jashtëzakonshme. Në klasat elitare përdoret edhe sistemi i eliminimit: nëse rezultatet bien, nxënësi mund të largohet nga klasa.

Xiaomei thotë se disa bashkëmoshatarë diskutonin online për mënyra për të marrë doza të tepërta ilaçesh, sepse ndiheshin si “dështakë”.

“Është shumë e vështirë të kalosh provimet dhe të qëndrosh në klasat elitare. Kur dështon, fillon të mendosh se je një dështak dhe se nuk ke më asnjë mundësi në jetë”, ka thënë ajo.

Sociologu kinez Xiang Biao ka thënë se presioni vjen edhe nga familjet. Për shkak të politikës së mëparshme të një fëmije, shumë familje kanë vetëm një fëmijë dhe vendosin mbi të të gjitha shpresat për të ardhmen.

“Shumë fëmijë marrin shumë vëmendje, por ajo që kërkojnë është të pyeten se si ndihen. A janë të vetmuar apo të stresuar? Shpesh prindërit në Kinë e minimizojnë këtë dhe u thonë se thjesht duhet të jenë më të fortë”, ka thënë ai.

Ekspertët paralajmërojnë se abuzimi me ilaçet mund të lidhet edhe me rritjen e vetëlëndimit te të rinjtë.

Edhe pse autoritetet kineze kanë forcuar kontrollet ndaj disa ilaçeve, të rinjtë shpesh kalojnë te substanca të tjera ose përdorin emra të ndryshëm në internet për t’iu shmangur kontrolleve.

Sipas një raporti të Komisionit Kombëtar të Kontrollit të Narkotikëve të Kinës, keqpërdorimi i ilaçeve me recetë po bëhet shqetësues sidomos te të miturit.

Sipas ekspertëve, zgjidhja nuk është vetëm ndalimi i shitjeve online, por edhe trajtimi i problemeve të shëndetit mendor dhe presionit që përjetojnë të rinjtë.

Kina ka nisur të zgjerojë shërbimet psikologjike në shkolla. Sipas të dhënave zyrtare, 92 për qind e shkollave fillore dhe 95 për qind e shkollave të mesme të ulëta kanë tashmë një këshillues, por vendi ende ka mungesë të madhe të psikiatërve të specializuar për fëmijë dhe adoleshentë.

“Mos përdorni ilaçe për t’u mpirë”

Për Xiaomei, gjithçka ndryshoi pasi përfundoi në spital pas një mbidoze. Prindërit filluan ta dëgjonin dhe të flisnin më shumë me të.

“Të dija se dikush ishte pranë meje më bëri të ndihesha shumë mirë”, ka thënë ajo.

Mbështetja e tyre e ndihmoi edhe të përballonte provimin e rëndësishëm të pranimit në shkollë.

Një tjetër i ri, Lu Jingchan*, 22 vjeç, i cili kishte luftuar për vite me depresionin dhe kishte pësuar disa mbidoza, tashmë përpiqet t’i paralajmërojë të tjerët për rrezikun e varësisë.

“Ilaçet më çuan në prag të çmendurisë. Rrezikon të fundosesh në një humnerë varësie dhe të shkatërrosh shëndetin”, ka thënë ai.

Mesazhi i tij për të rinjtë është i thjeshtë.

“Shpresoj që ta përballoni jetën drejtpërdrejt, pa pasur nevojë të përdorni ilaçe për t’u mpirë. Nëse po merrni mbidoza, dua t’ju jap kurajën të ndaloni. Besoj se jeta juaj do të përmirësohet dhe se do të gjeni lumturinë”, ka thënë ai.

*Emrat janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e tyre.

Related Articles