Eurodeputeti çek dhe raportuesi i përhershëm i Parlamentit Evropian për Bosnjë e Hercegovinën, Ondřej Kolář, ka deklaruar se do t’i kërkojë komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, të shqyrtojë pezullimin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, për shkak të glorifikimit të kriminelit të luftës Ratko Mlladiq.
Kolář ka reaguar pas njoftimeve se Mlladiqi, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, do të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake.
“Kush dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian nuk mund të kremtojë kriminelët e luftës dhe të ushqejë nacionalizmin në Ballkan”, ka shkruar Kolář në një postim në Facebook.
Ai ka theksuar se nderimi i një krimineli të luftës është në kundërshtim me parimet evropiane.
“Nderimet më të larta për një kriminel lufte? Definitivisht jo në BE”, ka shkruar eurodeputeti çek, duke kujtuar se Mlladiqi është dënuar për gjenocid gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë.
Kolář ka bërë të ditur se në një letër drejtuar komisioneres Marta Kos do t’i kërkojë Komisionit Evropian të shqyrtojë pezullimin ose ngrirjen e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, deri në momentin kur autoritetet serbe të distancohen qartë nga glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte.
Ai gjithashtu kërkon që BE-ja të mos ndërmarrë hapa të mëtejshëm për thellimin e integrimit të Serbisë në zonën Schengen, derisa Beogradi të dëshmojë qartë dhe në mënyrë të qëndrueshme përkushtimin ndaj parimeve politike, juridike dhe morale mbi të cilat bazohet integrimi evropian.
Sipas Kolář, glorifikimi i Mlladiqit jo vetëm që “turpëron kujtimin e viktimave”, por rrezikon drejtpërdrejt stabilitetin dhe procesin e pajtimit në Ballkanin Perëndimor.
Eurodeputeti çek ka kritikuar gjithashtu deklaratat e autoriteteve serbe, përfshirë ministrin e Drejtësisë, Nenad Vujiq, i cili ka thënë se Mlladiqi do të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake, si dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka kritikuar Tribunalin e Hagës.
“Jam për zgjerimin e BE-së. Por mes nesh nuk mund të kemi admirues të vrasësve masivë”, ka përfunduar Kolář.
