Ndalohen punimet në një kantier ndërtimi në Ferizaj, paraqiste rrezik serioz për punëtorët

Ndalohen punimet në një kantier ndërtimi në Ferizaj, paraqiste rrezik serioz për punëtorët

Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në një kantier ndërtimi në Ferizaj për shkak të rrezikut që paraqiste për punëtorët.

Inspektorati tha se këtë vendim e mori në kuadër të aktiviteteve “të vazhdueshme për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, si dhe të sigurisë dhe shëndetit në punë, ka realizuar inspektime në kantier ndërtimi në komunën e Ferizajt”.

“Gjatë inspektimit janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve. Si rezultat, Inspektorati Qendror i Punës ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në kantier deri në eliminimin e plotë të parregullsive të evidentuara”.

Inspektorati tha se këto masa synojnë parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e kushteve të sigurta për punëtorët.

Ndërkaq, subjekti i inspektuar është obliguar të eliminojë të gjitha mangësitë e konstatuara, ndërsa punimet do të lejohen të rifillojnë vetëm pasi inspektorët të verifikojnë se janë përmbushur kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Inspektorati Qendror i Punës u zotua se mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe do të vazhdojë kontrollet intensive në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke ndërmarrë masa ndaj çdo subjekti që cenon sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.

Njëkohësisht, Inspektorati Qendror i Punës u bëri thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë me përpikëri dispozitat ligjore dhe të sigurojnë kushte të sigurta pune, pasi mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i panegociueshëm./

Related Articles