Valon Berisha dhe Fidan Aliti pensionohen nga Kosova

Valon Berisha dhe Fidan Aliti pensionohen nga Kosova

Yjet dardanë, Valon Berisha dhe Fidan Aliti kanë vendosur të pensionohen nga Përfaqësuesja e Kosovës.

Lajmi u bë i ditur nga FFK në faqen e tyre zyrtare, duke i dhënë fund karrierës së tyre me fanellën tonë e cila ishte e suksesshme.

Berisha dhe Aliti u shprehën se do të jenë gjithmonë tifozë të Kosovës, edhe pas përfundimit të ecurisë së tyre.

“Nuk e di nëse ekzistojnë fjalët e duhura për ta nisur një shkrim si ky. Në fakt, nuk po di as se si ta nis një shkrim, që bart me vete aq shumë krenari e emocion, që fjalët nuk mjaftojnë për ta treguar.
Sot, kur po i shkruaj këta rreshta, kam para syve të mi një djalë shqiptar që po rritej në mërgim me dy ëndrra në jetën e tij: Kosovën dhe futbollin. Një familje, dy prindër, që atij djali ia ngulitën thellë në shpirt e në mendje dashninë dhe obligimin për familjën, për gjakun e tij, e mbi të gjitha për Kosovën e shtrenjtë.
Sot, shumë vite më vonë, jam i mbushur me krenari dhe falënderim ndaj familjes, prindërve dhe Zotit që më mundësoi t’i përmbush të dyja këto ëndrra. Që me një top futbolli ta lartësojë emrin e Kosovës.
Pas shumë vitesh, 52 ndeshjesh dhe disa golash, njëri prej të cilëve, ai kundër Finlandës, do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit të Kosovës, sot ka ardhur koha që periudha ime si futbollist aktiv me Kombëtaren të përfundojë.
Dhjetë vite më parë mora një prej vendimeve që do të më bëjë krenarë tërë jetën. Pavarësisht falëmnderimit që kam për Norvegjinë, shtet që, mua dhe familjës sime na dhanë mundësinë për jetë më të mirë, por e lash dhe atëherë vendosa t’i bashkohem Kosovës, sepse ndjeva fuqishëm thirrjen e brendshme për ta përfaqësuar gjakun që më rrjedh në vena dhe për t’i bërë krenarë prindërit e mi”, u shpreh Berisha.

“Ka momente dhe vendime që janë të vështira për t’u jetuar e për t’u marrë dhe padyshim se ky që po e publikoj sot është një nga ta.
Pas shumë vitesh, shumë ndeshjesh, emocionesh të pafundme, sakrificash e kujtimesh që do t’i mbaj me vete tërë jetën, ka ardhur koha që të mbyll kapitullin tim me ekipin kombëtar.
Ta vesh fanellën e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet një prej nderimeve më të mëdha të jetës sime. Sa herë që kam dalë në fushë me këtë fanellë, kam dhënë shpirtin e zemrën për të. Kam luajtur me krenari e përgjegjësi, i vetëdijshëm për peshën që bart përfaqësimi i vendit tonë.
Kemi kaluar shumë bashkë, festa e fitore, por edhe zhgënjimin e humbjeve. Kemi luftuar e ëndërruar, por edhe kemi shkruar bashkërisht një pjesë të ndritshme të historisë së futbollit të Kosovës.
Ndihem posaçërisht i privilegjuar që isha pjesë e një gjenerate që hapi kapitullin e Kombëtares sonë në garat ndërkombëtare dhe, bashkërisht, e rritëm Kosovën. Për këtë do të jem gjithmonë krenar.
Falënderim i madh për secilin bashkëlojtar me të cilin kam ndarë zhveshtoren, për trajnerët dhe stafin e tyre, për Federatën e Futbollit të Kosovës, për tifozët që ishin me ne, si dhe për të gjithë ata që na kanë qëndruar pranë.
Por, një falënderim i veçantë shkon për familjen time. Për gruan dhe djalin tim, për prindërit dhe të gjithë ata që ishin pranë meje me dashuri e përkrahje. Ju keni qenë forca ime kryesore në këtë rrugëtim.
Sot po largohem nga Kosova si futbollist, por kurrë si tifoz i saj. Kosova është dhe do të jetë gjithmonë pjesë e imja. Është dhe do të jetë gjithmonë e para, sa herë që të ketë nevojë për mua.
Falemindeit për gjithçka, Kosovë.
Ishte ëndërr, u bë nder dhe krenari”, u shpreh Aliti.

Berisha, ka 52 paraqitje me Kosovën ku ka shënuar gola të rëndësishëm, ndaj Finlandës dhe Anglisë, ndërsa Aliti ka 64 paraqitje ku shënoi 1 gol./

Related Articles