Një grua e cila pjesën kryesore të karrierës së saj në inteligjencë e ndërtoi në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, duke drejtuar më pas edhe Shërbimin Informativ të Shqipërisë, ka përfunduar në arrest shtëpiak, nën dyshimin për “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.
Vlora Hyseni sot doli për herë të parë para Gjykatës së Posaçme në Tiranë për të dëgjuar t’i komunikohej masa e sigurisë: “arrest në shtëpi”. Është një prej rasteve të rralla kur ajo është shfaqur publikisht.
Për 42-vjeçaren e diplomuar për drejtësi dhe marrëdhënie ndërkombëtare, kjo javë solli një ndryshim të madh në karrierën e saj të gjatë në shërbimin sekret.
Ish-drejtoresha Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) në Shqipëri të martën u pezullua nga detyra dhe u vendos në “arrest shtëpie”, me vendim të Gjykatës së Posaçme, sipas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Hyseni, e cila më herët kishte mbajtur edhe pozitën e zëvendësdrejtoreshës në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), po hetohet në Tiranë për “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.
Menjëherë u bë e ditur se masat ndaj ish-shefes së SHISH-it lidhen me hetimin që Prokuroria e Posaçme po kryen ndaj biznesmenit Ergys Agasi, ish-zyrtar i Ministrisë së Mjedisit i akuzuar për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Ai ishte arrestuar në fund të gushtit. Për keqpërdorim të parave publike në AKSHI po hetohen një numër zyrtarësh të shtetit dhe biznesmenë, disa prej të cilëve janë arrestuar e paraburgosur.
SPAK njoftoi të martën se Gjykata e Posaçme, sipas kërkesës së tyre, lejoi kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe në një kompleks vilash në zonën e Shkozetit në Durrës, në kuadër të një hetimi të gjerë për korrupsion.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama e shkarkoi nga detyra po atë ditë dhe presidenti i vendit, Bajram Begaj e dekretoi shkarkimin shumë shpejt.
Po të martën, Hyseni, e cila u raportua se ndodhej jashtë vendit, u shoqërua në banesën e saj në orët e mbrëmjes.
Policia shqiptare nuk bëri të ditur zyrtarisht rrethanat e ndalimit të saj. Sipas raportimeve në media, Hyseni kishte hyrë në Shqipëri nga Kosova, përmes pikës kufitare të Morinës.
Vlora Hysenit iu gjetën mesazhe komprometuese me Ergys Agasin. Mediat në Tiranë raportuan se ka mbi 500 biseda mes tyre, përfshirë shkëmbime fotografish dhe video.
Në disa mesazhe të publikuara në media, Hyseni duket se i qëndronte besnike Agasit, megjithëse ai ishte vënë në kërkim të drejtësisë.
Nga numri i saj i telefonit me prefiks të Kosovës, Hyseni i shkruante Agasit: “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot. Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt”.
Bisedat raportohet se gjenden në telefonin e sekuestruar të Agasit, në aplikacionin “Signal”.
Siç raporton Lapsi.al, më 19 gusht, pak ditë para arrestimit të Agasit, Hyseni e informon atë se ka lënë takim me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Skënder Hitaj.
“Skenderi me thirri me u taku te henen … Te shpresoj qe ka porosit km….”, i shkruante Hyseni.
Ish-shefja e SHISH-it fliste me Agasin që gjendej në arrati, sikur duke i folur për fatin e të dyve.
Më 22 gusht ajo i shkruante: “Sa sh gjera na Kane bere ne…. Te gjitha shpirt… O shpirt Kjo eshte nje situate qe do ja hedhim… Problemi eshte koha… Sa konsistenc kemi….”
Në këto biseda, Hyseni e informon Agasin edhe për një takim me Ramën: “Po me presin me shku te km…. Jo mo zemer une nje ore nuk rri me shume me ate”.
Në disa prej mesazheve tjera të shkëmbyera për të cilat raportuan mediat në Shqipëri, Hyseni duket se interesohet edhe për aksionet e policisë, lidhur me mundësinë e arrestimit të djemve të Agasit.
“Shpirt, mos e përdor atë numrin tjetër sonte, se çunat ia kanë çuar veshin. Flej rehat. Të du…!” – i shkruan ajo.
Agasi e pyet nëse ka “naj rrezik”, dhe Hyseni e qetëson: “Flej rehat, zemër, krejt radarët e shtetit i mbyll për ty”.
Siç raportojnë mediat në Tiranë, ish-shefja e SHISH-it ishte marrë në pyetje në SPAK pak ditë përpara arrestimit. Aty, siç shkruan Lapsi.al, ajo kishte pretenduar se Agasin e kishte agjent të vetin, por pa mundur t’i bindte prokurorët për këtë.
Hetuesit raportohet se kanë zbuluar edhe një hardisk ku Agasi ruante dokumente të klasifikuara të shërbimit sekret, të cilat i përdorte për biznesin e tij.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu tha sot se përgjegjësia penale është individuale dhe se qeveria shqiptare ka marrë përgjegjësinë politike duke e shkarkuar atë nga drejtimi i shërbimit sekret. Tha se po presin përfundimin e procesit për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në SHISH.
Vlora Hyseni ishte shkarkuar nga pozita e zëvendësdrejtoreshës në AKI në qershor të vitit 2021, me vendim të presidentes së atëhershme të Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
Institucionet e Kosovës nuk kishin dhënë asnjëherë detaje për arsyet e shkarkimit. Ajo u detyrua t’i dorëzonte materialet që i kishte administruar dhe t’i ruante informacionet e marra gjatë ushtrimit të detyrës. Në një komunikatë të lëshuar nga institucionet e Kosovës atëherë, thuhej se vendimi për shkarkimin e saj ishte mbështetur në ligjin për shërbimin sekret. Aty përmendej se “zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara” përbënte vepër penale sipas legjislacionit në fuqi.
Pas largimit nga AKI-ja, Hyseni në shtator të atij viti u bë këshilltare për sigurinë kombëtare e Ramës.
Në vitin 2023, ajo u emërua në krye të SHISH-it në Shqipëri.
Para dekretimit të saj, opozita shqiptare i kishte kërkuar presidentit Bajram Begaj të merrte informacione për arsyet e shkarkimit të Hysenit nga AKI-ja.
Sipas biografisë zyrtare në SHISH, ajo e kishte nisur karrierën profesionale në vitin 2008 në Prishtinë, pranë një organizate ligjore ndërkombëtare amerikane që punonte për promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
Në vitin 2010 i ishte bashkuar AKI-së, ku kishte ndërtuar pjesën kryesore të karrierës së saj në inteligjencë.
Hyseni mkishte mbajtur, mes të tjerash, postin e drejtoreshës për marrëdhëniet me jashtë dhe, në shkurt të vitit 2019, ishte emëruar zëvendësdrejtore e AKI-së. Pas largimit të drejtorit të atëhershëm të AKI-së, Kreshnik Gashi në dhjetor të vitit 2020, ajo e kishte drejtuar AKI-në për rreth katër muaj, deri në emërimin e Petrit Ajetit në prill të vitit 2021./GAZETAEXPRESS/
