Ministri kroat paralajmëron Serbinë: Kemi përgjigje ndaj arsenalit ofensiv, Kosovën e kemi aleate

Ministri kroat paralajmëron Serbinë: Kemi përgjigje ndaj arsenalit ofensiv, Kosovën e kemi aleate

Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, ka deklaruar të premten se retorika që vjen nga Serbia ndaj fqinjëve është edhe më e ashpër se para 36 vjetësh, ndërsa ka theksuar se Serbia po armatoset intensivisht me sisteme ofensive dhe raketa të distancës së gjatë.

Gjatë një konference të fokusuar në investimet në sistemin e mbrojtjes, të mbajtur në Zarë të Kroacisë me temën “EU 4 Defence Readiness – Road Map to Future”, Anushiq tha se Kroacia ka përgjigje ndaj armatosjes së Serbisë dhe se, në bashkëpunim me aleatët, përfshirë Republikën e Kosovës dhe Shqipërinë, synon të krijojë një balancë në rajon për të ruajtur paqen.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, të cilin Anushiq e përshëndeti në mënyrë të veçantë.

“Gjëja e dytë dhe e tretë që dua të përmend është situata e sigurisë në Kroaci, rreth Kroacisë dhe në rajonin tonë. Ajo nuk është e thjeshtë, është e rëndë dhe e komplikuar. Kemi historinë, e cila na ka dhënë mësime të shkëlqyeshme, dhe kemi retorikën, e cila përsëri po dëgjohet nga Serbia fqinje. Është një retorikë e pabesueshme, agresive, sulmuese dhe, në fund të fundit, shumë armiqësore“, ka thënë në fjalimin e tij Anushiq.

Ai ka deklaruar se Serbia, sipas tij, po armatoset intensivisht prej dhjetë vitesh me sisteme që nuk i konsideron vetëm mbrojtëse.

“Jemi të vetëdijshëm se Serbia, për të dhjetin vit me radhë, po armatoset në mënyrë intensive me armatim serioz. Nuk do të thoja mbrojtës, por me sisteme ofensive. Serbia nuk e ka ndalur retorikën nga vitet ’90, retorikë pas së cilës nisën luftërat e përgjakshme në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Do të doja të thoja se retorika është edhe më e ashpër. Për ne ka qenë moti i mjaftueshëm që të kërkojmë përgjigje, pasi Serbia ka blerë raketa supersonike të distancës deri në 400 kilometra nga prodhues kinezë, dhe presidenti i Serbisë ka thënë se mund ta godasin secilin kryeqytet në rajon, e madje ia kanë ngjitur emrin Zegrebçanka. Ne kundërpërgjigje kemi”, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Kroacisë.

Anushiq ka theksuar se Kroacia posedon sisteme raketore me rreze edhe më të gjatë veprimi.

“Ne kemi sistem raketor të distancës së gjatë, edhe më të gjatë sesa që kanë ata. Nuk duam që diskutimi i përgjithshëm të shkojë drejt asaj se kush i ka raketat me distancë më të madhe veprimi, por Kroacia ka përgjigje për atë që ata kanë dhe shumë shpejt do të kemi në pronësi dhe do të krijojmë balancën e forcave të armatosura në këto hapësira, në Evropën Juglindore, që është shumë e rëndësishme”, ka thënë ministri kroat.

Sipas tij, Kroacia është “një zë i arsyes” në rajon dhe ka qenë e tillë edhe gjatë konflikteve dhe situatave të ndryshme politike.

“Dikush duhet të paraqesë një kundërbalancë ndaj fqinjit që armatoset dhe që kërcënon me revansh ndaj asaj që ka ndodhur në vitet ’90, i cili kërcënon territorin e Republikës së Kosovës duke thënë se është pjesë e Serbisë, i cili kërcënon ende se pjesë të Kroacisë janë linja Karlovac-Karlobag-Virovitica, kufijtë e tyre, dhe Kroacia duhet të jetë e vetëdijshme se nuk po jetojmë në një botë ideale dhe nuk i kemi fqinjët idealë, prandaj duhet të kujdesemi për të mbrojtur para së gjithash fëmijët tanë, të cilët një ditë prapë të mos duhet të veshin uniformat dhe të luftojnë. Ajo që bëjmë është pikërisht kjo, të parandalojmë atë që nuk mundëm ta parandalonim në vitin 1990, por tash mundemi”, ka thënë ai.

Anushiq ka shtuar se, sipas tij, sot Kroacia nuk mund të konsiderohet “cak i lehtë”.

“Për këtë arsye duhet të kemi bashkëpunim me aleatët tanë, si me Republikën e Kosovës, ashtu edhe me Shqipërinë, me fqinjët tanë që janë në NATO dhe ata që nuk janë, por kanë një politikë paqedashëse, qëllimmirë, politikë të stabilitetit, paqes dhe bashkëpunimit”, ka thënë ai.

Në fund, ministri kroat ka përshëndetur sërish ministrin e Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedoncin, duke theksuar bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Për këtë arsye përshëndes edhe një herë kolegun ministër që është këtu sot me ne, ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, me të cilin bashkëpunojmë në mënyrë të shkëlqyeshme dhe vazhdojmë të ndërtojmë bashkëpunimin dhe miqësinë tonë”, ka përfunduar Anushiq.

Related Articles