OVL thërret protestë të hënën: Nëse nesër s’ka dakordim për ligjin për Specialen, do i përshkallëzojmë veprimet

OVL thërret protestë të hënën: Nëse nesër s’ka dakordim për ligjin për Specialen, do i përshkallëzojmë veprimet

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një postimi, ka ftuar qytetarët në protestë ditën e hënë me 5 tetor, duke filluar nga ora 12:00, para kuvendit.

OVL shton bën të ditur se arsyeja e këtij organizimi është për shkak të ‘’ dështimit të arritjes së një marrëveshjeje politike për votimin e menjëhershëm të plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, si dhe pas lojës së vazhdueshme politike e procedurale të Albin Kurtit me një çështje kaq të ndjeshme, durimi i veteranëve të UÇK-së dhe i qytetarëve të Kosovës po merr fund’’.

Tutje, në postim thuhet edhe se, nëse deri ditën e nesërme nuk ka dakordim atëherë, nga e dita e hënë, veteranët e UÇK’së do t’i ‘’përshkallëzojnë veprimet e tyre.

Postimi:

Pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje politike për votimin e menjëhershëm të plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, si dhe pas lojës së vazhdueshme politike e procedurale të Albin Kurtit me një çështje kaq të ndjeshme, durimi i veteranëve të UÇK-së dhe i qytetarëve të Kosovës po merr fund.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i fton të gjithë qytetarët që të hënën, më 5 tetor, nga ora 12:00, të mblidhemi para Kuvendit të Kosovës për të shprehur pakënaqësinë ndaj kësaj qasjeje të papërgjegjshme të pushtetit.

Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë thellësisht të indinjuara me qasjen e z.Kurt, i cili po bënë kalkulime politike edhe me dhimbjen, sakrificën dhe dinjitetin e qytetarëve të Kosovës.

Afati për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe procedurale që do të mundësonte votimin e menjëhershëm të të dy leximeve të plotësimeve dhe ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale, për veteranët e UÇK-së është vetëm deri nesër, e diel.

Nëse deri nesër nuk ka dakordim, nga e hëna veteranët e UÇK-së do t’i përshkallëzojnë veprimet e tyre.

Ky pushtet, në vend që të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe ta adresojë qartë këtë çështje, po vazhdon të shtyjë, të kalkulojë dhe të abuzojë politikisht me një çështje që prek drejtpërdrejt mijëra familje dhe njerëz që bartin plagët e luftës.

Veteranëve dhe qytetarëve të Kosovës u është shterur durimi.

Të hënën, në ora 12:00, ju ftojmë të gjithëve para Kuvendit të Kosovës.

Related Articles