Clint Williamson, ish-prokurori amerikan që hetoi pretendimet e Dick Martyt, ka thënë se ai do të ishte i ‘’befasuar’’ nëse Gjykata Speciale do të vazhdonte me hetime të tjera, pas dënimit të ish-krerëve të UÇK’së.
Williamson, në një intervistë për Kallxo.com, ka shtuar se ai do të ‘’befasohej’’ nëse do të zgjatej mandati i Gjykatës Speciale.
‘’Do të isha shumë i befasuar nëse do të kishte vazhdim të hetimeve. Mendoj se ende ekzistojnë disa çështje të tjera dytësore që lidhen me frikësimin e dëshmitarëve dhe çështje të kësaj natyre, të cilat po trajtohen nga gjykata. Por mendoj se puna kryesore e gjykatës do të përfundojë me këtë aktgjykim. Prandaj, personalisht do të isha i befasuar nëse mandati i gjykatës do të zgjatej për të shqyrtuar raste të tjera’’, ka deklaruar ai.
Ndryshe, me 16 shtator, ish-krerët e UÇK’së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u dënuan nga Gjykata Speciale, me një dënim total prej 81 vitesh.
