“Zemra më dhembi fort” – Adelina Thaçi Meta kritikon partinë e saj pas zhvillimeve në Kuvend
Këngëtarja dhe ish-deputetja Adelina Thaçi Meta ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në vend, duke adresuar kritika të forta edhe ndaj partisë së saj.
Thaçi Meta tha se ngjarjet e fundit i ka përcjellë me shumë vëmendje dhe “me shqetësim të madh”, fillimisht si qytetare, më pas si artiste dhe si ish-deputete.
“Të dhemb kur sheh se si shteti trajtohet sikur të jetë një lojë. Kur interesat personale shpesh dalin përpara interesit të qytetarit”, ka shkruar ajo.
Duke iu drejtuar partisë së saj, Thaçi Meta tha se zhvillimet e mbrëmshme në Kuvend e kanë prekur.
“E këtu vij te partia ime. Zemra më dhembi fort. Sepse dashuria për një parti nuk duhet të jetë më e madhe se dashuria për parimet që ajo parti thotë se i përfaqëson”, shkroi ajo.
Ajo kërkoi që partia të jetë konsistente në vendimet dhe qëndrimet e saj, duke kritikuar “inatet personale” dhe “pazaret e vogla”.
“Nëse nuk i afroni njerëzit dhe nuk e kuptoni se askush nuk fiton duke i larguar njerëzit e vet, atëherë do të shkoni aty ku nuk dëshiron askush që ju ka besuar”, deklaroi Thaçi Meta.
Në fund, ajo i uroi Presidentes Justina Shiroka-Pula shëndet, punë të mbarë dhe forcë për ta përmbyllur mandatin me dinjitet.
“Ky popull është lodhur. Jemi lodhur të gjithë. Tani na duhet qetësi, përgjegjësi dhe punë”, përfundoi Thaçi Meta.
