Policia katalanase ka “goditur” një grup të dyshuar për një seri vjedhjesh në banesat e futbollistëve të Barcelonës dhe të familjeve të pasura në Spanjë. Në mesin e personave të arrestuar është edhe një shtetas me origjinë shqiptaro-kosovare, i cili dyshohet se kishte rol kyç në organizimin dhe kryerjen e disa prej këtyre veprave.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, në krye të grupit të dyshuar ishte A.B, 58-vjeçar, i cili ka një histori të gjatë të veprimtarisë kriminale në Spanjë.
Hetimet e autoriteteve katalanase, të njohura si Mossos d’Esquadra, lidhen me së paku tetë raste të vjedhjeve në disa zona të Katalonjës, përfshirë banesa të personave me profil të lartë publik dhe futbollistëve të njohur.
Ndër rastet që po hetohen janë vjedhjet në shtëpitë e futbollistëve të Barcelonës, Pau Cubarsí dhe Joan García. Po ashtu, të dyshuarit dyshohet se kishin vëzhguar banesën e mbrojtësit francez Jules Koundé, me synimin për ta sulmuar, por plani nuk u realizua.
Sipas raportimeve, grupi vepronte pas vëzhgimit paraprak të banesave dhe lëvizjeve të pronarëve, ndërsa përdorte automjete me qira për të lehtësuar aktivitetin e tij.
Zhvillimi që ndihmoi hetuesit të identifikonin të dyshuarit ishte informacioni se njëri prej tyre po tentonte të shiste në tregun e zi dy orë të vjedhura, të cilat pretendohej se u përkisnin futbollistëve Pau Cubarsí dhe Joan García.
Arrestimet u kryen më 1 tetor në Gavà, afër Barcelonës. Në operacion u ndaluan tre persona, dy burra dhe një grua, të cilët dyshohet se kishin role të ndryshme në aktivitetin e grupit.
Sipas mediave spanjolle, përveç tij në grup dyshohet se përfshiheshin edhe persona që merreshin me vëzhgimin e banesave, drejtimin e automjeteve dhe organizimin logjistik.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rastet e dyshuara dhe për të përcaktuar nëse grupi mund të ketë qenë i përfshirë edhe në vjedhje të tjera në pjesë të ndryshme të Spanjës.
