Nagavci: Kurti do ta shqyrtojë me kujdes çështjen e Damkës pas konfirmimit të aktakuzës

Nagavci: Kurti do ta shqyrtojë me kujdes çështjen e Damkës pas konfirmimit të aktakuzës

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se kryeministri Albin Kurti do ta shqyrtojë me kujdes çështjen e Fikrim Damkës, pasi Gjykata e Apelit konfirmoi aktakuzën ndaj tij për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

E pyetur nëse Damka do të largohet nga detyra, duke pasur parasysh zotimin e Kurtit se në Qeveri dhe ekzekutiv nuk do të ketë persona ndaj të cilëve ka aktakuza, Nagavci ka thënë se vendimi për këtë çështje i takon ekzekutivit.

“E kam parë edhe unë vendimin, domethënë nga media e kam kuptuar që Gjykata e Apelit e ka marrë këtë vendim, dhe besoj që kryeministri do ta shqyrtojë me shumë kujdes, ju e dini që kjo është që i takon ekzekutivit edhe besoj që shpejt do të njoftohemi edhe për këtë temë”, tha ajo.

Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti Special, më 19 tetor 2026, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ka konfirmuar aktakuzën ndaj Fikrim Damkës, zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik, si dhe të pandehurit tjetër me inicialet B.K.

Më herët, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, me aktvendimin e 16 shkurtit 2026, kishte hedhur poshtë aktakuzën dhe kishte pushuar procedurën ndaj të pandehurve, me arsyetimin se nuk ishin përmbushur kushtet për vazhdimin e procedurës penale në mungesë të provave.

Pas ankesës së Prokurorisë Speciale, Gjykata e Apelit vlerësoi se vendimi i shkallës së parë ishte nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e procedurës penale dhe se ekziston dyshim i bazuar mirë se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen. Sipas Apelit, provat janë mbledhur dhe siguruar në përputhje me ligjin.

Me këtë vendim, procedura penale ndaj Damkës dhe të pandehurit tjetër do të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor. Konfirmimi i aktakuzës nuk përbën vendim përfundimtar mbi fajësinë e të pandehurve.

Related Articles