Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në seancën e sotme ka kritikuar dhe fajësuar qeverinë për rritje të numrit të rasteve dhe për keqmenaxhim të ekonomisë, raporton Gazeta Enigma.
Sipas Mustafës, rritja e numrit të rasteve është përgjegjësi e tyre dhe keqmenaxhim i Qeverisë Kurti, derisa ka theksuar se edhe për mosvaksinimin e qytetarëve, fajtor është Qeveria.
“Fatkeqësisht me logjiken tuaj së është sukses i juaji zbritja e infektimeve nga 781 në 9 po ashtu duhet të jetë përgjegjësi e juaja rritja e numrit të rasteve. Logjikë e gabuar por është e juaja. Poashtu vaksinimi po dështon. Fatkeqësisht në Prishtinë ka 3-4 ditë të cilët qytetarët nuk po mund të caktojnë një termin, me këtë ritëm të keqmenaxhimit do të përfundojmë fatkeqësisht ose ju do të merrni vendime për të karantinuar qytarët në këtë vjeshtë”, tha ai.
“Po rriten çmimet, pagat s’po rriten, të hyrat e bizneseve s’po rriten dhe ekonomia kosovare do kolapsojë, karantinimi do të sjellë tkurrje të ekonomisë dhe buxhet më të ulët të qeverisë. Premtimet e juaja fatkeqësisht do të mbeten të shkruara vetëm në letër. Mund të deklaroni rritje ekonomike sa të doni por qytetarët nuk po shohin se gjepat e tyre po rriten por vetëm po zmbrapsen”, shtoi deputeti i LDK.