“Tradhtarë në çdo familje” – Hungaria hap dosjet e informatorëve të komunizmit për t’u përballur me të kaluarën

“Tradhtarë në çdo familje” – Hungaria hap dosjet e informatorëve të komunizmit për t’u përballur me të kaluarën

Hungaria do të publikojë këtë javë emrat e dhjetëra mijëra personave që bashkëpunuan me shërbimet e sigurisë së regjimit komunist, në një përpjekje për t’u përballur me të kaluarën dhe për të rikthyer besimin e publikut te institucionet.

Sipas “The Guardian”, qeveria e re hungareze do të hapë të mërkurën një bazë të dhënash online, ku qytetarët do të mund të kërkojnë emrat e personave që kanë figuruar si informatorë të policisë sekrete gjatë periudhës 1945-1989.

Gjatë regjimit komunist, shërbimet e sigurimit të shtetit të Hungarisë mbështeteshin në një rrjet të gjerë informatorësh për të mbikëqyrur shoqërinë dhe për të shtypur kundërshtimin politik.

Disa prej tyre ishin detyruar ose shantazhuar të raportonin për fqinjë, miq, kolegë dhe madje edhe familjarë, ndërsa të tjerë ishin rekrutuar në këmbim të favoreve apo përfitimeve.

Për dekada, të ashtuquajturat “dosje të agjentëve” kanë qëndruar kryesisht jashtë mundësive të publikut, të ruajtura në arkivat historike të shërbimeve të sigurisë shtetërore.

Kryeministri Péter Magyar kishte premtuar gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të prillit se do t’i bënte publike dosjet. Në shtator, qeveria miratoi ligjin që i hapi rrugën publikimit, një masë që, sipas sondazheve të cituara nga “The Guardian”, mbështetej nga më shumë se dy të tretat e hungarezëve.

“Një shoqëri demokratike ka të drejtë të njohë të kaluarën e saj”, deklaroi ministri i Marrëdhënieve Shoqërore dhe Kulturës, Zoltán Tarr.

Deri tani, dokumentet mund të konsultoheshin kryesisht nga studiuesit dhe të afërmit e viktimave. Me bazën e re të të dhënave, Hungaria pritet të bëhet një nga vendet më transparente të ish-bllokut lindor për sa i përket dosjeve të shërbimeve sekrete komuniste.

Historiani István Papp, drejtues i departamentit akademik të arkivave, e përshkroi hapjen e dosjeve si një derë që për dekada kishte mbetur vetëm gjysmë e hapur.

Sipas historianëve, në dokumente shfaqen emrat e rreth 50 mijë deri në 60 mijë personave, ndërsa rreth 10% e tyre mendohet se janë ende gjallë.

Megjithatë, publikimi pritet të hapë edhe plagë të vjetra.

“Si historian, jam dakord me publikimin. Por në plan personal, më vjen keq për ata që do të përballen për herë të parë me historinë e familjes së tyre”, tha Papp.

Miklós Kiss, i mbijetuar i një kampi hungarez të punës së detyruar dhe drejtues i një shoqate viktimash, thotë se hapja e dosjeve duhej të ishte bërë shumë më herët.

“Njerëzit do të zbulojnë se kishte tradhtarë në çdo familje, në çdo lagje dhe në çdo rrugë”, u shpreh ai.

Hungaria është një nga vendet e fundit të Europës Lindore që hap plotësisht këtë pjesë të arkivave. Gjermania Lindore hapi dosjet e Stasi-t që në vitin 1992, Republika Çeke në vitin 2003, ndërsa Letonia publikoi dosjet e informatorëve në vitin 2018.

Arkivat hungareze janë gjithsesi të paplota. Shumë dokumente u shkatërruan gjatë kryengritjes antisovjetike të vitit 1956, ndërsa të tjera u zhdukën gjatë tranzicionit të vitit 1989.

Nga rreth 60 mijë personat e përmendur në dokumente, dosje të detajuara ekzistojnë vetëm për rreth 9 mijë prej tyre. Këto pritet të publikohen në shkurt, pasi të hiqen të dhënat sensitive që lidhen me shëndetin, varësitë, seksualitetin apo informacionet për viktimat.

Vendimi i qeverisë së re hungareze pritet të hapë një debat të madh mbi përgjegjësinë individuale, bashkëpunimin me regjimin komunist dhe mënyrën se si një shoqëri përballet me të kaluarën e vet.

Related Articles