Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur gatishmërinë e tij për bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Speciale, duke theksuar se çdo proces dhe procedurë që lidhet me prokurimin publik mund të jetë objekt i shqyrtimit nga institucionet e drejtësisë.
Megjithatë, Rama ka apeluar që Prokuroria të veprojë në mënyrë të pavarur dhe të mos ndikohet nga zhvillimet politike. Ai ka thënë se përgjegjësia e Komunës është zhvillimi i kryeqytetit, ndërsa institucioneve të drejtësisë u takon të vlerësojnë nëse veprimet janë në përputhje me ligjin, transmeton lajmi.net.
“Puna jonë është ta zhvillojmë kryeqytetin, ndërsa puna e Prokurorisë është të shohë nëse po i bëjmë të gjitha gjërat në përputhje me ligjin. Unë i kam bërë thirrje Prokurorisë që të mos bjerë pre e politikës, sepse jemi duke u marrë me zhvillimin e projekteve madhore dhe i dimë sfidat që kemi me nivelin qendror. Ata janë munduar të na bllokojnë në mënyrë të paligjshme”, deklaroi Rama.
Ai gjithashtu u shpreh se përplasjet dhe pengesat në raport me nivelin qendror kanë shkaktuar vonesa të konsiderueshme në realizimin e projekteve të kryeqytetit.
“Deri më sot na kanë humbur dy vjet. Kjo hapësirë do të mund të ishte shfrytëzuar për qytetarët”, tha Rama.
Në fund, kryetari i Prishtinës ritheksoi se është i hapur për çdo hetim që mund të lidhet me punën e Komunës, duke theksuar se edhe më herët i ka ftuar organet kompetente të shqyrtojnë proceset ku mund të ketë dyshime për parregullsi.
