E SFIDON STUDENTI I MJEKËSISË Racaj: Unë e argumentoj ikjen e mjekëve Kryeministër, a mund ta argumentoni ju kthimin?

E SFIDON STUDENTI I MJEKËSISË Racaj: Unë e argumentoj ikjen e mjekëve Kryeministër, a mund ta argumentoni ju kthimin?

Besfort Racaj, kryetar i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili të premten deklaroi se gjatë vitit 2025 në Kosovë janë kthyer 171 mjekë, duke e paraqitur këtë si dëshmi të kthimit të “trurit” në vend.

Në një reagim të gjatë në Facebook, Racaj ka rikujtuar se studentët dhe profesionistët e rinj të mjekësisë i kishin dhënë afat Kurtit deri më 6 nëntor për t’iu përgjigjur kërkesës së tyre për takim, por kryeministri, ministri i Arsimit dhe ministri i Financave nuk u ishin përgjigjur.

Ai ka thënë se vetëm ministri i Shëndetësisë i kishte ftuar në takim, por pasi tashmë ishte shpallur konkursi për specializime, të cilin e ka cilësuar si “konkurs të imponimit”.

Sipas Racajt, ky konkurs nuk reflekton nevojat reale të institucioneve shëndetësore dhe i vendos mjekët para tri alternativave: të pranojnë specializime të imponuara, të presin pa siguri apo të përgatisin dokumentacionin për të emigruar në Gjermani dhe vende të tjera.

Racaj ka kritikuar Kurtin edhe për faktin se, sipas tij, kryeministri zgjodhi të mos i priste në takim, ndërsa pikërisht atë ditë u paraqit para qindra mjekëve të rinj dhe studentëve të mjekësisë për të folur për kthimin e trurit.

“Kryeministri që hezitoi të na priste në takim, u paraqit papritur para qindra mjekëve të rinj dhe studentëve të mjekësisë. Jo për të na treguar se çfarë po bën Qeveria për kërkesat tona, por për të deklaruar se me qeverisjen e tyre truri po ‘KTHEHET’ në Kosovë dhe se emigrimi i mjekëve nuk po ndodh”, ka shkruar ai.

Ai ka pretenduar se në atë sallë, thuajse çdo i dyti student ka nisur ose planifikon të regjistrohet në kursin e gjuhës gjermane.

Ndërkaq, sipas shifrave që ka prezantuar Racaj, vetëm gjatë viteve 2021–2026, mbi 650 mjekë kanë tërhequr dokumentacionin nga Oda e Mjekëve të Kosovës për të kërkuar punësim jashtë vendit.

“Unë e argumentoj ikjen. Kryeministër, a mund ta argumentoni ju kthimin?”, ka shkruar Racaj.

Në fund, ai ka njoftuar se më 13 nëntor do të paraqiten në Ministrinë e Shëndetësisë për të kërkuar përmbushjen e të drejtave të tyre.

“Ne nuk kemi nevojë për deklarata që e mohojnë realitetin. Kemi nevojë për veprime që e ndryshojnë atë!”, ka përfunduar ai.

Related Articles