Babai dhe djali i tij dy vjeç e gjysmë u gjetën të vdekur të martën e kaluar në qytetin zviceran Wattwil.
Policia e kantonit të Saint Gallen dyshon për vrasje dhe vetëvrasje, ndërsa kërkimi u iniciua pasi babai 33-vjeçar nuk ia ktheu fëmijën nënës sipas marrëveshjes.
Policia e qytetit në St. Gallen mori një raport të martën në mëngjes nga nëna, e cila jeton e ndarë nga babai, se fëmija nuk ishte kthyer në kohën e rënë dakord. Menjëherë u nis një kërkim i gjerë.
Oficerët gjetën trupat e pajetë të burrit dhe fëmijës vonë në mbrëmje në një objekt akomodimi në Wattwil.
Sipas informacioneve nga policia, rrethanat në vendngjarje tregojnë se babai e vrau djalin me pistoletë dhe më pas bëri vetëvrasje me të njëjtën armë.
Të ndjerët janë një 33-vjeçar dhe një djalë dy vjeç e gjysmë, të dy shtetas kroatë me vendbanim në kantonin e St. Gallenit, raporton Bluewin.
Prokuroria kantonale po udhëheq një hetim për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes.
