Gjykata Themelore në Prishtinë pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, e ka dënuar me 1 vit burgim me kusht ish-Kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti për veprën penale “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”. Kurse, Sali Dakajn me 1 vit burgim me kusht dhe 5 mijë euro gjobë për “Ushtrim ndikimi”.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Të akuzuar në këtë rast janë edhe Hasan Morina dhe Liridon Fandaj, por është veçuar procedura ndaj tyre. Kështu, Dakaj akuzohet se ia dha 150 mijë euro Morinës në mënyrë që të ndikonte në vendimmarrjen e gjykatësit Latif Xhemaili për një lëndë përmbarimore. Takimi dhe marrëveshja mes Dakajt dhe Morinës thuhet se u bë me koordinim nga Fandaj. Për të gjitha veprimet, aktakuza thotë se ishte i njoftuar Dërguti, por që nuk e ka lajmëruar rastin.
Për veprën penale “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”, i akuzuari Dërguti dënua me 1 vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër penale në periudhë verifikuese prej 2 vitesh, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Kurse, për veprën penale “Ushtrim ndikimi”, i akuzuari Dakaj u dënua me 1 vit burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dënimi me burgim, nuk shqiptohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër penale në periudhë verifikuese prej 2 vitesh, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Të akuzuarit obligohen t’i paguajnë nga 200 euro në emër të shpenzimeve të procedurës penale, si dhe nga 200 euro për paushallin gjyqësor. Si dhe nga 100 euro për kompensimin e fondit të viktimave të krimit.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 3 nëntor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, si dhe Hasan Morinës, Liridon Fandajt dhe Sali Dakajt, për veprat penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Dakaj akuzohet se ia dha 150 mijë euro Morinës në mënyrë që të ndikonte në vendimmarrjen e gjykatësit Latif Xhemaili për një lëndë përmbarimore. Takimi dhe marrëveshja mes Dakajt dhe Morinës thuhet se u bë me koordinim nga Fandaj. Për të gjitha veprimet, aktakuza thotë se ishte i njoftuar Dërguti, por që nuk e ka lajmëruar rastin.
Morina, Dakaj e Fandaj akuzohen për “Ushtrim ndikimi”, kurse Dërguti për “Moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre”.
Sipas aktakuzës, në pikën e parë ngarkohen Hasan Morina dhe Liridon Fandaj. Ata akuzohen se gjatë muajit nëntor të vitit 2019 në Prishtinë pas një planifikimi paraprak, drejtpërdrejt i kanë kërkuar para të pandehurit tjetër Sali Dakaj në shumën prej 300 mijë euro, me premtimin që të ushtrojë ndikim në vendimmarrjen e gjykatësit Latif Xhemajli.
Aty thuhet se rasti kishte të bënte me një lëndë përmbarimore dhe atë konkretisht prapësimin e kompanisë “EXCOM-Sh.P.K”- debitor ndaj aktvendimit të përmbaruesit privat për lejimin e ekzekutimit të propozimit të kreditorit- Sali Dakaj, pronar i kompanisë N.P.N “Çlirimi”.
Fillimisht, thuhet se i akuzuari Fandaj është takuar me Dakajn në një restorant në qendrën tregtare “Abi Çarshia” në Prizren, ku kanë diskutuar për rastin në fjalë, e përveç tjerash Fandaj i ka treguar Dakajt se e njihte personin Hasan Morina, i cili mund ta kryente lëndën përmbarimore. Ai i kishte premtuar se do të bisedonte me Morinën për këtë çështje, dhe e njoftoi se për këtë duhet të jepen para.
Më pastaj, thuhet se pas një takimi paraprak të zhvilluar mes Fandajt dhe Morinës në Prishtinë, Fandaj e kishte ftuar Dakajn që të takohej me Morinën për të diskutuar lidhur me rastin.
