Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje Presidencës që ta rikthejë fotografinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova në zyrën ku ishte vendosur më parë.
Duke folur para gazetarëve, Osmani ka theksuar se figura e Rugovës nuk duhet të trajtohet si dekor, por si një nga themelet e shtetit të Kosovës.
“Vendet e errëta në qoshe e përballë tualeteve e çnderojnë Republikën tonë dhe çdo person që mund ta ketë bërë një gjë të tillë, unë i bëj thirrje ta rikthejë aty ku e nderon e gjithë Kosova. Më vjen mirë që gjithë qytetarët e Kosovës kanë reaguar për një çështje të tillë”.
Osmani ka kritikuar edhe ata që, sipas saj, tentojnë ta përqeshin këtë çështje, duke theksuar se mbrojtja e figurës së Ibrahim Rugovës lidhet drejtpërdrejt me ruajtjen e historisë së Kosovës.
“Nuk i mirëkuptoj ata që tentojnë ta përqeshin. Çështja e themeleve të shtetit ka të bëjë edhe me mbrojtjen e historisë së Kosovës”, tha Osmani para gazetarëve.
