Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, anëtare e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit të SHBA-së, i ka dërguar një letër mbështetjeje Presidentes së Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ku vlerësohet lart roli i saj dhe rikonfirmohet përkrahja e fuqishme amerikane për të ardhmen euroatlantike të vendit.
Në letrën e saj, senatorja Shaheen e ka falënderuar Presidenten Shiroka Pula për mikpritjen e ngrohtë dhe nderimin gjatë vizitës së saj të fundit në Kosovë.
Duke i analizuar zhvillimet e fundit politike në vend, senatorja amerikane shprehu besimin se nën udhëheqjen e Presidentes Shiroka Pula dhe në bashkëpunim me Qeverinë e re, Kosova do të marrë një drejtim të sigurt drejt prosperitetit dhe konsolidimit të sigurisë.
“Si përkrahëse e fuqishme e marrëdhënieve të SHBA-së me Kosovën dhe popullin e saj, si dhe e së ardhmes euroatlantike të Kosovës, unë do të vazhdoj të jap kontributin tim në mbështetje të Kosovës. Mbetet ende shumë punë për t’u bërë, por jam e bindur se ju do të jeni një forcë stabilizuese për Kosovën”, citohet të ketë shkruar senatorja Shaheen.
Në përmbyllje të letrës, Shaheen ka rikonfirmuar gatishmërinë e saj për të vazhduar partneritetin e ngushtë dhe mbështetjen e pakursyer për Kosovën edhe në të ardhmen.
