Një plagosje ka ndodhur sot rreth orës 12:20 në qytetin e Suharekës.
Lajmin për këtë e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi.
Ai ka thënë se një i panjohur ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi të gjinisë mashkullore.
“Si pasojë e të shtënave, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe, në gjendje të rëndë shëndetësore, është transportuar për trajtim mjekësor në Emergjencë. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të tij. Njëkohësisht, është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes dhe po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për mbledhjen e provave dhe dëshmive që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të këtij rasti”, ka thënë Bytyqi.
Lajmi.net ka mësuar nga burimet e veta se viktima ka marrë dy plumba në gjoks dhe është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore për në Spitalin e Prizrenit.
