Sa do të qëndrojë Jakup Krasniqi në Kosovë? – Flasin nga Gjykata Speciale

Sa do të qëndrojë Jakup Krasniqi në Kosovë? – Flasin nga Gjykata Speciale

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nuk kanë dhënë detaje se për sa kohë do të qëndrojë në Kosovë ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili është kthyer në vend për një vizitë humanitare.

Në një përgjigje për Lajmi.net, Gjykata Speciale ka konfirmuar se vizita është autorizuar për arsye të forta humanitare.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues e ka udhëzuar Zyrën Administrative që të organizojë një vizitë nën mbikëqyrje në Kosovë për Jakup Krasniqin. Nuk mund të jap detaje të tjera në këtë kohë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale për Lajmi.net.

Kështu, gjykata nuk ka bërë të ditur kohëzgjatjen e vizitës, duke mos dhënë informacione të tjera lidhur me detajet operative të qëndrimit të tij në Kosovë.

Jakup Krasniqi është në Kosovë që nga dita e djeshme. Ai ka qëndruar dje deri në orën 17:00 tek familja e tij dhe më pas është dërguar tek selia e EULEX-it në Kosovë.

Krasniqi e ka vazhduar vizitën e tij përsëri sot tek familja, ndërkaq është raportuar se ai do të qëndroj rreth katër ditë në Kosovë por që kjo nuk është konfirmuar nga Gjykata Speciale.

Vizita e Krasniqit në Kosovë ka ardhur pasi bashkëshortja e tij ka probleme shëndetësore.

Jakup Krasniqi më 16 shtator është dënuar më 25 vite burgim lidhur me akuzat për krime lufte, ku akuzohet bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.

Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Sipas vendimit, Krasniqi u shpall fajtor për katër akuza për krime lufte: Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), për Trajtim mizor (Pika 5), për Torturë (Pika 7), dhe për Vrasje e paligjshme (Pika 9).

Related Articles