Një rast jo fort i zakonshëm i vjedhjes së veturës është denoncuar të martën në Shtime. Një 34-vjeçar ka raportuar në Polici se vetura e tij ishte zhdukur nga oborri i shtëpisë, ndërsa dyshimet për vjedhjen i ka drejtuar te kushëriri i tij, mëson Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, ankuesi është J.M, 34 vjeç, ndërsa personi ndaj të cilit ka ngritur dyshimet është M.M.
Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 24 nëntor, rreth orës 14:00, në rrugën “Shotë Galica” në Shtime.
Vetura e tipit Volkswagen Golf 2, me ngjyrë të kaltër, kishte qenë e parkuar në oborrin e shtëpisë, ndërsa çelësat ishin lënë brenda saj.
Rreth orës 18:15, pronari ishte paraqitur në Stacionin Policor në Shtime, ku kishte denoncuar zhdukjen e veturës, vlerën e së cilës e ka deklaruar të jetë rreth 1 mijë e 500 euro.
Para policëve, 34-vjeçari ka deklaruar se dyshon te kushëriri i tij, duke pretenduar se nuk është hera e parë që ai hyn në oborr dhe merr gjëra pa lejen e tij.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me vendim të të cilit është hapur shënim zyrtar për “Vjedhje të veturës”.
Policia ende nuk ka arritur të sigurojë praninë e M.M për intervistim.
