Arrestohen tre persona të dyshuar për krim të organizuar, sekuestrohet pasuri mbi një milionë euro

Arrestohen tre persona të dyshuar për krim të organizuar, sekuestrohet pasuri mbi një milionë euro

Tre persona janë arrestuar në Prishtinë dhe Fushë Kosovë nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash, ndërsa gjatë aksionit policor janë sekuestruar 19 vetura dhe pasuri të tjera.

Operacioni policor është zhvilluar të mërkurën, më 25 nëntor, në katër lokacione të ndryshme, në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Aksioni është realizuar nga hetuesit e Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në mbështetje të njësive të tjera hetuese, Njësive Speciale (FIT) dhe AKI-së.

Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, gjashtë telefona, pesë kompjuterë, gjashtë USB, 4 mijë e 95 euro para të gatshme, 11.28 gramë substancë të dyshuar narkotike, si dhe dokumente të ndryshme relevante për rastin.

Sipas hetimeve, tre të arrestuarit dyshohet se përmes sistemeve kompjuterike, komunikimeve elektronike dhe telefonike kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, të cilët i kanë vënë në lajthitje dhe i kanë nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi, duke u shkaktuar dëme në pasurinë e tyre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se do të vazhdojë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Related Articles