Real Madrid ka qenë i përmbajtur në këtë afat kalimtar, pasi ka qenë i ndikuar nga pandemia e COVID-19 kur kaploi botën në shkurt të vitit 2020.
Që atëherë klubi nuk ka shpenzuar asgjë. Përkundrazi, përpjekjet e drejtuesve ‘Los Blancos’ janë përqendruar në shitje. Me largimin e Martin Odegaard për 40 milion euro drejt Arsenalit, klubi do të mbledhë në total rreth 200 milionë euro. Shuma do të shkojë për blerjen e madhe që pritet të jetë Kylian Mbappe, ose nëse ajo nuk arrihet, të harxhohen për Erling Haaland.
Real Madridi harxhoi më shumë se 300 milionë në vitin 2019, kur pandemia nuk e kishte goditur ende ekonominë. Në atë afat kalimtar veror u blen Eden Hazard, Eder Militao, Luka Jovic, Ferland Mendy, Rodrygo dhe Reinier. Që atëherë, Madridi nuk ka investuar asnjë euro në blerje.
Verën e kaluar klubi ka shitur Achraf Hakimin (45 milionë euro), Reguilón (30 milionë euro) dhe Oscar Rodríguez (13.5 milionë euro), duke i dhënë klubit rreth 100 milionë euro të ardhura. Real Madridi e ka shitur Raphael Varane këtë verë (rreth 50 milionë euro) dhe është gati të transferojë Odegaard te Arsenal për një shumë të ngjashme. Kjo do të thotë, të ardhura të reja prej rreth 100 milionë euro.
Klubi tani paratë i ka, vetëm varet se ku do t’i investojë, pasi tifozët janë të etur për një emër të madh.