Aplikimi për të përfituar nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike u hap më 12 gusht të këtij viti.
E kërkesat e bizneseve, që duan t`iu kompensohet dëmi i shkaktuar nga pandemia, nuk është se kanë munguar.
Për 15 ditë deri tash në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) kanë aplikuar 445 biznese për 1216 punëtorë.
Fjala është për masën 1.1, 1.2 dhe atë 1.3.
Zëdhënësja e Administratës Tatimore e Kosovës (ATK), Valentina Bytyqi-Sefa tha se për masën e parë, 1.1, që nënkupton rikthim në punë të atyre që kanë humbur vendet e punës gjatë pandemisë e subvencionim të pagës deri në 50 përqind të pagës mujore bruto për tre muaj, kanë aplikuar 114 punëdhënës për 261 punëtorë.
Interesim ka edhe për masën tjetër 1.2, mbështetje për të punësuarit e formalizuar.
Për këtë masë, që parasheh subvencionimin e kontributit pensional në vlerë prej 10 përqind të pagës bruto mujore për më së shumti 12 muaj, duke filluar nga muaji korrik deri në muajin qershor, kanë aplikuar 112 biznese për 430 punëtorë.
E më së shumti kërkesa deri tash në ATK kanë shkuar për masën 1.3, mbështetje e punësimit të grave.
Për të aplikim kanë bërë 283 biznese për 518 punëtore (gra)
Me këtë masë parashihet subvencionimi i pagës për gratë deri në 50 përqind të pagës bruto mujore për tre muaj, ndërsa pas përfundimit të periudhës tremujore subvencionohen kontributet pensionale për muajt e mbetur.
Për masat 1.1 dhe 1.2 Qeveria ka ndarë nga 10 milionë euro për secilën. Kurse për atë 1.3, 5 sosh.
Aplikimi për to është i hapur deri më 15 tetor 2021.
Vlera e pakos, prej nga edhe do të rrjedhin këto ndihma, është e ndarë në pesë masa. Ajo kap shifrën e 420 milionë eurove.