Mesfushori më i ri i Kombëtares së Shqipërisë, është talenti Nedim Bajrami.
Bajrami shkëlqeu që disa vite te Zvicra U21 dhe pastaj refuzoi t’i përfaqësonte, ngase ëndërronte për fanellën e Shqipërisë.
Por, Zvicra i nxori probleme fillimisht, ngase shkaku i një rregulle, që thoshte se lojtarët që kanë minuta te U21, nuk kanë të drejtë të përfaqësojnë Kombëtare të tjera.
Sidoqoftë, Federata Shqiptare në CAS ia doli ta fitojë ‘luftën’ për shërbimet e Bajramit, i cili së fundmi përmes rrjetit social Instagram, shkroi se ndihet i lumtur që ëndrra e tij dhe e familjes së tij më në fund u realizua.
“Më në fund, ëndrra ime, ëndrra e familjes time, ëndrra e gjyshërve të mi u bë realitet. Unë do të përfaqësoj fanellën kuqezi dhe Kombin shqiptar!
Jam shumë i gëzuar dhe dua të falenderoj pafundësisht nga thellësia e zemrës, me mijëra tifozë kuqezinj kudo nëpër botë që më kanë shkruar dhe telefonuar.
Një falenderim i veçantë shkon për @fshforg që i’a doli në këtë betejë të ndërlikuar. Nga sot, përbetohem që do të jap shpirtin dhe zemrën në fushë për atë fanellë, që është krenaria e të gjithë shqiptarëve!
Shihemi së shpejti”, shkroi ai.