Masat e reja përkitazi me situatën e krijuar me pandeminë Covid-19 të vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës kanë prekur edhe ngjarjet sportive në vend.
Në bazë të këtyre masave, tani pjesëmarrja e tifozëve në palestra dhe stadiume do të lejohet vetëm 10 për qind e kapacitetit të tyre me tifozë.
Kosova në futboll pas ndeshjes me Gjeorgjinë më 2 shtator në udhëtim, do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Botëror “Katar 2022” si vendas në stadiumin “Fadil Vokrri”, atë ndaj Greqisë dhe Spanjës.
Kryetari i grupit të tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha ka thënë për KosovaPress se është e papranueshme që të lejohen vetëm 10 për qind e tifozëve brenda stadiumit për ndeshjet e kombëtares.
“Momentalisht është 10 për qind që është e papranueshme sepse është një kapacitet shumë i vogël i tifozëve kështu që nëse kalkulohet në 10 për qind i bie 200 tifozë t’i kemi të “Dardanët”. Me 200 tifozë nuk besoj që ia vlen të hyhet për të bërë diçka”, ka thënë Berisha.
Ai më tutje ka bërë të ditur se janë duke mbajtur takime të vazhdueshme me Ministrinë e Kulturës dhe po presin së shpejti një përgjigje prej tyre mbi atë nëse do të jetë e mundur që të lejohet një numër më i madh i tifozëve.
“Takimet janë të përditshme. Gjithmonë para ndeshjes i koordinojmë gjerat. Tani kemi pasur takim me Ministrinë e Kulturës, me Zëvendësministren, e kemi shtruar bashkërisht një kërkesë për të qenë më shumë diçka edhe po presim një përgjigje prej tyre”, ka theksuar Berisha.