Me origjinë nga Korça, ai u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë, ku gjithashtu fitoi dy çmime për restaurimin dhe pikturën.
Vangjush Mio konsiderohet peizazhisti më i përkryer shqiptar i shekullit të XX-të.
Mio u lind në Korçë dhe në vitin 1908, së bashku me të vëllanë shkoi në Bukuresht të Rumanisë ku në vitin 1915 studioi në shkollën kombëtare të arteve të bukura. E mbaroi arsimimin aty në vitin 1919. Po atë vit, hapi ekspozitat e tij të para personale, fillimisht në Bukuresht dhe më pas në Korçë, kjo e fundit ndoshta ekspozita e parë e artit figurativ në Shqipëri.
Puna e Vangjush Mio kontribuoi në edukimin e brezave të rinj të artistëve në kushtet e izolimit të egër kulturor, në të cilin gjendeshin, sepse ajo i përkiste një shkolle arti jashtë kornizave të realizmit socialist.
Piktori ka marrë pjesë në shumë ekspozita të arteve figurative të organizuara si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj. Mund të kujtojmë Italinë, Rumaninë, Kinën, në Bienalen e Aleksandrisë, Greqinë, Egjiptin, Turqinë, Rusinë dhe ish-Jugosllavinë.
Punimet e tij numërohen në 500 piktura, 200 vizatime dhe 80 bocete, të cilat ruhen në shtëpinë e tij Muzeu “Vangjush Mio” në Korçë.
Kritikët e konsiderojnë atë si piktorin që bëri hapin e parë të pikturës shqiptare drejt koncepteve moderne, duke e çliruar atë nga format statike dhe ndonjëherë edhe amatore të artit të Rilindjes.
Vangjush Mio – Varka në Gjirin e Vlorës