Autoritetet talibane janë pajtuar që ta lejojnë largimin e 200 civilëve amerikanë dhe joafganëve të tjerë përmes fluturimeve nga aeroporti i Kabulit, tha një zyrtar amerikan.
Talibanëve iu bë thirrje për një gjë të tillë nga përfaqësuesi i posaçëm i ShBA-së për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, tha zyrtari, i cili foli për agjencinë Reuters në kushte anonimiteti.
Largimi i këtyre personave pritet të bëhet të enjten, por nuk dihet numri i saktë i personave nga ShBA-ja dhe shtetet tjera që do të largohen, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.
Zyrtari amerikan nuk tregoi nëse amerikanët dhe të tjerët janë pjesë e njerëzve të ngujuar në Mazar-i-Sharif, pasi aeroplanëve atje iu ndalua fluturimi. Departamenti i Shtetit është kritikuar se nuk ka bërë mjaftueshëm për ta siguruar largimin e tyre.
Sekretari Anthony Blinken i kundërshtoi kritikat, duke thënë se talibanët janë fajtor për ngujimin e të huajve dhe u bëri thirrje atyre që t’i lejojnë fluturimet.