Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka vizituar shkollën “Dardania”, në Prishtinë për të parë nga afër procesin e trajnimit për Kurrikulë.
Në njoftimin e MASHTI-t thuhet se në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit janë duke vazhduar me organizimin e trajnimit për zhvillimin e kapaciteteve profesionale të rreth 1,400 mësimdhënësve, të cilët këtë vit shkollor do të fillojnë zbatimin në praktikë të kurrikulës së re në institucionet edukativo-arsimore.
Trajnimi po mbahet për mësimdhënësit parafillor, klasën e parë, gjashtë dhe dhjetë dhe përfshinë të gjitha fushat kurrikulare.
Nagavci tha se ngritja dhe zhvillimi profesional i mësimdhënësve për zbatimin në praktikë të Kurrikulës është proces shumë me rëndësi dhe se MASHTI do të jetë çdo herë në përkrahje të mësimdhënësve me qëllim të avancimit sa më të mirë të tyre.
Ajo theksoi se humbjet e shkaktuara në procesin arsimor si pasojë e pandemisë kanë qenë të mëdha dhe se edhe viti i ri shkollor do të jetë me shumë sfida. Prandaj, tha se duhet shumë punë, bashkëpunim e angazhim për t’i përmirësuar rezultatet.
Gjatë kësaj vizite, ministrja i njoftoi mësimdhënësit se rekomandimet e fundit të IKSHPK-së janë që viti shkollor të shtyhet edhe për dy javë dhe se këto rekomandime do të respektohen me qëllim të ruajtjes së shëndetit.
Nagavci vizitoi mësimdhënësit të cilët po mbajnë trajnimin për KurrikulëNë fund, ministrja theksoi se shpreson që pas dy javësh gjendja me pandeminë të stabilizohet dhe procesi mësimor të nis ashtu siç ishte planifikuar, pra me prezencë fizike.