Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka thënë sot në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi, se ka dyshime se ka pasur manipulime të numrit të rasteve të vdekjeve nga Coronavirusi në Kosovë.
Lidhur me këtë çështje, prezenca e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia në këtë mbledhje të Komisionit, sipas Haxhiut ka qenë e domosdoshme.
“Mendoj që sot , këtu në mbledhjen e parë të Komisionit, para nesh të ishte ministri i Shëndetësisë bashkë me përgjegjësitë të cilët kanë qenë udhëheqës të këtij sektori të shëndetësisë gjatë kësaj situate për të na dhënë sqarimet, duke filluar nga Ministri i Shëndetësisë, Bordi i ShSKUK-së dhe IKSHPK-ja rreth këtij eskalimi enorm të pandemisë ku Kosova renditet me vdekshmëri më të lartë të botë në 1 milion banorë dhe me nivelin e vaksinimit më të ulët në botë”, ka thënë më tutje ai.
Deputeti Haxhiu ka rikujtuar edhe shifrat e rasteve aktive me Coronavirus në Kosovë më 17 korrik të këtij viti.
“Dua t’ua rikujtojë që më 17 korrik 2021 kanë qenë vetëm 98 raste aktive. Në kohën kur është dashur që të ketë mobilizim të gjithë akterëve dhe përgjegjësve me i dhënë fund pandemisë dhe të identifikohen ato 98 raste ka ndodhur eskalimi më i madh i pandemisë”, deklaroi deputeti i PDK-së.
“Ka pas dyshime edhe për manipulimin e rasteve me numrin e rasteve të vdekjeve. Njëherë ministria i qet 28 vdekje pas disa minutash e përmirëson 24 vdekje. Situata edhe sot vazhdon me qenë e rëndë. Ka filluar të bijnë rastet aktive por ka rënë edhe numri i testimeve”, ka thënë Haxhiu.