Më 16 shtator në Shkup do të zhvillohet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.
Sipas zyrtarëve të lartë të ekzekutivit në RMV, janë miratuar marrëveshjet që do të nënshkruhen mes dy qeverive, por pa i bërë publike ato. Mbledhja e mëparshme u shty për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë më 14 shkurt.
Analisti politik Albert Musliu e ka cilësuar ngjarjen si një zhvillim që duhet përshëndetur. Ai tha se Maqedonisë së Veriut i intereson bashkëpunimi me Kosovën, ndërsa solli në vëmendje se me ardhjen e Zaev marrëveshjet ndërshtetërore nuk kanë munguar. E para nga to ka qenë me Kosovën.
Sipas tij Serbia nuk do ti prishë marrëveshjet me RMV-në pavarësisht bashkëpunimit të kësaj të fundit me Kosovën.
Musliu tha në Euronews Albania se marrëveshjet dhe bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor e ka ndryshuar ndjeshëm klimën konfliktuale në rajon. Në këndvështrimin e analistit Ballkani e ka kaluar tashmë fazën e konflikteve.