Merr fund misteri mbi fatin e ish-arbitrit italian, Davide Pekorelli, makina e të cilit u gjet e djegur në Pukë.
Mediat italiane raportojnë se pas 8 muajsh kërkime ai është gjetur i gjallë në një anije në brigjet e qytetit të Livornons në Itali. Mësohet se sipërmarrësi i zhdukur në muajin janar në Shqipëri ka komunikuar në telefon me ish-bashkëshorten e tij.
Ndërkaq, i ati është shprehur për mediat italiane se më në fund “do ta përqafojë”, si dhe “do t’i tërheqë veshin” për sjelljen e tij.
“Shpresoja, edhe pse kishte kaluar shumë kohë. Ajo (ish-bashkëshortja) më tha se kishte folur me Daviden tim dhe është mirë. Tani mezi pres ta rishoh dhe kështu do të më rrëfejë çfarë ka ndodhur në ato anë…“, shprehet babai i biznesmenit.
Mësohet se Davide Pekorelli do të paraqitet për të dëshmuar në Prokurorinë e Peruxhias. Duket si historia e një libri me komplote por në fakt është jeta reale e një biznesmeni 45-vjeçar, shkruajnë mediat italiane.
Mbi sipërmarrësin italian nuk kishte asnjë lajm që nga fillimi i janarit të këtij viti, kur ai shkoi për biznes në Shqipëri. Makina që ai mori me qira në aeroportin e Tiranës, një “Skoda Fabia’, u gjet e shkrumbuar natën e 7 janarit, pranë Pukës. Në automjet u gjetën edhe disa eshtra, por pas ekzaminimeve nuk dolën rezultate për zbardhjen e ngjarjes.
Davide Pekoreli, i cili zotëron një restorant në Lama, bashkia San Xhustion, ka arbitruar gjatë karrierës në Serinë C italiane, si dhe ka shërbyer si arbitër i katërt në Serinë A. Përveç hotelerisë, ish-arbitri investon dhe në parukeri, ku ka hapur disa të tilla në Milano. Madje, Davide Pekoreli ka investuar dhe në Shqipëri prej një viti si dhe kishte një fëmijë me një shqiptare.