Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në Kosovë ka dorëzuar në Zyrën e Kryeministrit dhe institucionet tjera përgjegjëse, propozimin për strategji kombëtare për menaxhimin e popullsisë së qenve endacak, përmes masave humane, efektive dhe të qëndrueshme.
Kjo strategji, është rezultat i një pune shumë muajshe e organizatës përfshirë hulumtimin, monitorimin e projekteve të KSVL-së në Kosovë, dhe punën me institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës. Ky dokument, ishte premtuar nga organizata, gjatë takimit të 26 prillit 2021 me zv. Kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, nga i cili kanë kërkuar qysh atëherë që të caktohet një ‘task-forcë’ (e përbërë kryesisht nga MBPZHR dhe AUV) si bartës të punëve që kanë të bëjnë me menaxhimin dhe kontrollin e popullsisë së qenve endacak në vend.
Strategjia është hartuar duke u bazuar në praktikat më të mira të vendeve të BE-së, si dhe në propozimet për masa humane dhe të qëndrueshme të organizatave botërore si ICAM, Ëorld Animal Protection, Eurogroup for Animals, LAV, ËHO, OIE etj.
Në strategji, është e përfshirë edhe analiza ligjore e përgjegjësive dhe autorizimeve të institucioneve relevante lidhur me kontrollin dhe menaxhimin e popullsisë së qenve, e cila qartëson kompetencat dhe përgjegjësitë e nivelit qendror dhe lokal në lidhje me këtë situatë.
Një gamë e masave duhet të merren parasysh për t’u realizuar një program i suksesshëm dhe efektiv i menaxhimit të popullsisë së qenve endacak në Kosovë. Këto masa të rëndësishme janë:
• Identifikimi dhe regjistrimi i qenve si kafshë shoqëruese në tërë Republikën e Kosovës
• Edukimi në shkolla dhe vetëdijesimi i shoqërisë
• Kontrolli i rreptë i mbarështimit dhe shitjes së qenve
• Subvencionimi i kastrimit dhe sterilizimit të qenve me pronar
• Kontrolli i vazhdueshëm i riprodhimit të qenve në rrugë përmes metodës KSVL
• Qendrat për Trajtim të Përkohshëm (QTP) dhe qendrat e shpëtimit
• Prezantimi i ‘kujdestarëve të lagjes për kafshët endacake’
• Kontrolli i qasjes në resurse
Përmes këtyre masave, dhe masave të tjera si implementimi dhe përmirësimi i legjislacionit për mbrojtje të kafshëve, do të arrihet të reduktohet numri i qenve endacak deri në minimum, me kusht që të ketë angazhim dhe koordinim ndër-institucional për të shtyrë përpara proceset e masave të propozuara në strategji.
Përveç se organizata ka kërkuar takim nga Zyra e Kryeministrit për ta prezantuar strategjinë, organizata u bën po ashtu thirrje publike institucioneve përgjegjëse ta rishikojnë dhe aprovojnë propozimin për strategji kombëtare, dhe të angazhohen seriozisht për zbatimin e masave të propozuara.
Vetëm qasja strategjike mund të rezultojë në një menaxhim human dhe efektiv të popullsisë së qenve, e kurrsesi projektet gjysmake, të cilat nuk gjejnë as zbatim e as monitorim të mirëfilltë.