Organizata Admovere ka mbajtur tryezë diskutimi me temën: “Strategjitë e Arsimit të Lartë në Kosovë”, për të diskutuar mbi planin strategjik të arsimit dhe për të analizuar problematikat në arsimin e lartë.
Drejtoresha e organizatës, Aulona Memeti, foli për rëndësinë e një planifikimi të mirëfilltë në mes ZKM-së, MASHT-it dhe Universiteteve Publike.
“Meqenëse aktualisht është duke u përpiluar Plani i ri Strategjik i Arsimit në Kosovë (PSAK) duhet të shtrojmë pyetjen se a ka ardhur koha për një planifikim të mirëfilltë, dhe nëse po, çka nënkupton kjo?”
Tutje, aty u tha se duke qenë se performanca e institucioneve të arsimit të lartë në veçanti dhe gjendja e arsimit në Kosovë në përgjithësi, jo rrallë herë është konsideruar e pakënaqshme nga masa e gjerë, shoqëria civile, perceptimet e studentëve dhe vet institucioneve relevante, është e rëndësishme që të analizohen strategjitë e arsimit të lartë për të parë se sa ka koordinim mes tyre, nivelin e redundancës dhe përsëritjes së objektivave.
Në këtë organizim mori pjesë edhe zëvendësministri i ministrisë së Arsimit, Shkenës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, i cili tha se ky proces i hartimit ka filluar, dhe janë të përfshirë kategori të ndryshme në Planin e ri Strategjik të Arsimit në Kosovë (PSAK).
“Procesi i hartimit të ri ka filluar, dhe në ato grupe të komunitetit kanë filluar duke përfshirë këtu edhe nga shoqëria civile për të avokuar me plan strategjik. Do doja të ndalem tek pjesa e financimit që përfshihet në raport por edhe në programin qeverisës, pra kemi plan të hartojmë një plan mbi financimin e arsimit të lartë publik”.
Pupovci tha se rekomandimet e nxjerra në tryeza të tilla janë të nevojshme për t’u inkorporuar në PSAK-un e ri.
“Kam vërejtur që ka avancim në punën kërkimore por duhet të kemi organizim më të madh në mënyrë që kënaqshmëria të jetë me e madhe”, tha Pupovci.
Eksperti i arsimit dhe njëherit ish-zëvendës ministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, se duhet të ketë një plan strategjik në këtë mes duke theksuar se nuk ka një planifikim dhe zbatim të mirëfilltë tek arsimi i lartë.
“Konsideroj se tema është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe se koha është e duhur për arsye se po mendoj që kjo do ndikojë në mënyrë e planifikimit. Në raport më kanë pëlqyer edhe temat ku trajtohen të gjitha nivelet e planifikimit të arsimit të lartë”, tha Rexhaj.
“Mendoj që nuk ka planifikim të mirëfilltë tek arsimi i lartë e as zbatim, edhe raportet monitoruese e theksojnë se nuk ka zbatim në këtë mes. Andaj mendoj që planifikim të mirëfilltë duhet të ketë nëse u kërkohet ajo”, theksoi tutje ai.