Në krah të ekipit të tij, Lulzim Basha ia tha prerazi liderit historik të demokratëve Sali Berisha se nuk do të lejojë mbajtjen e asnjë Kuvendi që shqyrton vendimet e qeverisë amerikane. Qëndrimi i kryedemokratit vjen pas akuzave të forta që Berisha i bëri gjatë turit të takimeve me demokratët e Fierit, ku I kujtoi edhe sanksionet që e presin, duke i treguar fundin politik.
“Kuvend të Partisë Demokratike për të marrë nën shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të patur. Objektivat tona janë përballja me Edi Ramën dhe regjimin e tij dhe e gjithë energjia jonë është e fokusuar këtu. Nuk ka për të patur kuvend të Partisë Demokratike që shqyrton vendimet e qeverisë Amerikane.”
Përgjigje i dha edhe akuzave të Berishës, që e cilësoi se është peng dhe në pazar me kryeministrin Rama sa I përket ndryshimeve kushtetuese të kërkuara pak ditë më parë nga maxhoranca.
“Për 8 vite me radhë Edi Rama më ka akuzuar për kukull të Sali Berishës. Dje, Sali Berisha më ka akuzuar për peng të Edi Ramës. E para është gënjeshtër, e dyta nuk do të ndodhë kurrë. Të dyja janë dy anë të të njëjtës medalje. “
E teksa Berisha thotë se do u prijë demokratëve në një betejë për rivendosjen e demokracisë dhe normave statutore të Partisë demokratike duke marrë edhe mbështetjen e anëtarësisë, Lulzim Basha flet për një betejë popullore që synon largimin e regjimit të Edi Ramës, duke e cilësuar atë armikun e vetëm të demokratëve./tvklan/