Të ejten, Shërbimi Korrektues i Kosovës në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm që gëzon tash e disa vite me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, ka pranuar donacion, tri vetura Nissan, kompjuter, UPS, ruter, printer, skaner, radiolidhje, telefona mobil, GPS, dylbi, llamba elektrike dore dhe tavolina.
Gjatë ceremonisë, Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së, Ali Gashi, falënderoi EULEX-in për ndihmën dhe përkrahjen që po i bënë SHKK-së. Ai tha se ky donacion përveçse do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit dhe lehtësimin e punës së SHKK-së, do të kontribuojë edhe në rritjen e sigurisë nëpër të gjitha institucionet korrektuese.
Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha se ky mision ndodhet në Kosovë për të përkrahur institucionet për sundimin e ligjit, pjesë e së cilave është edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. Ai shprehu besimin se ky donacion do t’i rrisë kapacitetet e SHKK-së në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësisë së saj.
Këto pajisje do të shfrytëzohen nga qendrat e paraburgimit dhe qendrat korrektuese.