A po i njeh Britania talibanët: Diplomatët vizitojnë ministrin e Jashtëm

A po i njeh Britania talibanët: Diplomatët vizitojnë ministrin e Jashtëm

I dërguari i posaçëm i Britanisë së Madhe në Afganistan të martën u takua me udhëheqës të lartë talibanë në vizitën e parë që nga ardhja në pushtet e këtij grupi.

Sir Simon Gass, përfaqësues i lartë i Mbretërisë së Bashkuar pë Afganistanin, dhe Martin Longden, i ngarkuar me punë në Doha, u takuan me zyrtarë të lartë talibanë për të diskutuar rreth një vargu temash, përfshirë largimin e sigurt të atyre që i plotësojnë kushtet për të shkuar në Britani, krizën humanitare që po afrohet dhe rritjen e numrit të sulmeve nga ISIS-i në Afganistan.

Burime të larta diplomatike në Britani deshën të theksojnë se vizita, një ndër të parat nga zyrtarët perëndimorë që nga ardhja e talibanëve në pushtet, nuk tregon që Britania e Madhe po e njeh grupin si qeveri legjitime të shtetit, shkruan Independent.

Përderisa përkrahësit e talibanëve, si Pakistani e Katari, kanë bërë thirrje për njohje të gjerë ndërkombëtare të pushtetit të talibanëve, në mesin e shteteve perëndimore ka hezitim për këtë gjë për shkak të sulmeve të talibanëve ndaj kundërshtarëve dhe mospërfaqësimit të grave në pushtet.

Abdul Qahar Balkhi, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Afganistanit, tha se nga zyrtarët britanikë u kërkua ndihmë për zhbllokimin e aseteve afgane, të cilat janë ngrirë në institucionet e huaja.

Një ish-ushtar britanik, Ben Slater, i cili ishte ndaluar në Afganistan, është liruar dhe ka fluturuar me aeroplan drejt Katarit bashkë me diplomatët britanikë që u kthyen nga vizita në Afganistan.

Related Articles