Prokuroria Themelore e Prishtinës është deklaruar lidhur me rastin e ish-punëtorit të RTK’së, i cili kishte përfituar mbi 472 mijë euro përmes kompanisë “Pastimi”.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Prokuroria ka bërë me dije se për të njejtin ishte pranuar kallëzim penal në fund të qeshorit të 2013.
Për këtë rast, ishte ngritur aktakuzë në gusht të vitit 2014.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e një punëtori të RTK-së, i cili kishte përfituar të holla përmes kompanisë “Pastimi”, ashtu që, ju bëjmë me dije se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 28.06.2013, ka pranuar kallëzim penal nga policia kundër personit me inicialet B.Sh. Lidhur me këtë çështje penale, prokurorja e rastit ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve më 04.07.2013 dhe pas ndërmarrjes së një mori veprimesh nga ana e saj, më 11.08.2014, ka ngritur aktakuzë kundër personit të lartcekur, në drejtim të veprave penale “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 425 të KPK-së dhe “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 426 të KPK-së”, thuhet në njoftim.
Në këtë çështje penale, të lartcekurit i është konfiskuar shtëpia e banimit dhe automjeti i tipit “Land Rover”.
Prokurori i shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës ndaj të pandehurit B.Sh., të njëjtën e ka proceduar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka bërë me dije se atij i ishte konfiksuar shtëpia e banimit dhe vetura “Land Rover”.
Ndryshe, Radio Televizioni i Kosovës i ka paguar mbi 472 mijë euro për pesë vjet një kompanie që s’i ka ofruar asnjë shërbim. Gjithë kjo ka ndodhur shkaku i mungesës së një “R-je”, ku në vend të KRU “Pastrimi”, paratë i kanë shkuar kompanisë “Pastimi”.
Kështu është thënë në mbledhjen e sotme të Komisionit parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku ka raportuar edhe drejtori i RTK-së Ngadhnjim Kastrati.
Kastrati ka thënë se kjo kompani ishte regjistruar në sistem nga një punëtor i RTK-së, i cili tashmë është dënuar për veprimin dhe se paratë i kanë shkuar kompanisë duke pretenduar se është duke i paguar faturat kompanisë rajonale, KRU “Pastrimi”.
Ai tha se këto pagesa kanë nisur në vitin 2008 dhe kanë zgjatur rreth pesë vite.
“Një punëtor tek ne e ka regjistru një kompani, “Pastimi”, pa ‘r’ dhe në mënyrë të vazhdueshme RTK ka derdh para, deri sa është evidentuar. Dëmi është diku rreth 472 mijë euro. Pala me sa e di është dënuar por ne jemi dëmtuar”, tha Kastrati.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, tha se është shqetësuese se si një gjë e tillë ka vazhduar pa u vërejtur nga zyrtarë të tjerë të cilët kanë nënshkruar kontratat.
Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se është absurde që kjo të mund të vazhdojë për disa vite me radhë pa u vërejtur.
“Një gjë e tillë mundet me vazhdu për 3 muaj, hajde 6 muaj por për 4-5 vjet është absurde. Diku rreth 7-8 mijë euro në muaj është shumë pa u vërejt”, tha ai./Gazeta Enigma/.