Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vazhduar sot dëgjimi i dëshmitarit të katërt të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin ku po gjykohet ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Seanca ka vazhduar me pyetjet e avokatit mbrojtës së Mustafës dhe pyetjet shtesë të prokurorisë, pjesë të cilat kanë vijuar të mbyllura për publikun.
Në fund të seancës, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka bërë të ditur se dëgjimi i dëshmitarit të katërt do të vazhdojë nesër, kur pritet të përfundojë marrja në pyetje e tij.
Transmetimi i seancës ka pasur probleme teknike çka edhe e ka bërë të pamundur ndjekjen e pjesëve të para.
Dëshmitari i katërt i ZPS-së, i cili mban kodin W03594, ka filluar të dëgjohet më 12 tetor dhe ka deklaruar se nga dy persona me maska është dërguar në një objekt mbajtjeje në Zllashë ku, sipas tij, ka marrë trajtim çnjerëzor.
Gjykimi ndaj Salih Mustafës ka nisur më 15 shtator 2021 dhe deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj tij është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Në paraqitjen para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm. /Gazeta Enigma/.