Kompania ajrore italiane “Alitalia”, njoftoi në muajin gusht se të gjitha fluturimet e saj pas datës 15 tetor do të anuloheshin, duke deklaruar kështu falimentimin.
Pas shtatë dekadash, kompania ka falimentuar dhe të premten do të bëjë fluturimin e fundit.
Në orën 23:10 në mbrëmjes të së premtes , avioni Alitalia AZ 1586 do të ngrihet për herë të fundit në Aeroportin Fiumicino në Romë me destinacion Caglia.
Italia Trasporto Aereo (ITA) ka marrë përsipër kompaninë, por do të punësojë vetëm 2,800 vetë nga stafi, ndërkohë që mijëra punonjës të tjerë do të mbeten pa punë.
Kështu, kompania shënon fundin pas 74 vitesh që operon në këtë biznes. Gjatë 20 viteve të fundit, Alitalia i ka kushtuar shtetit italian rreth 13 miliardë euro.
Italia u përpoq të gjente investitorë për të shpëtuar linjën ajrore të falimentuar, pasi e kishte marrë nën administrimin shtetëror në vitin 2017, mirëpo pa sukses. Situata u përkeqësua nga pandemia, e cila shkaktoi anulimin e fluturimeve në të gjithë botën për muaj të tërë dhe ishte “goditja përfundimtare” për “Alitalia”, që tanimë ka ndërprerë funksionimin krejtësisht. /Gazeta “Enigma”/