Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 600 euro gjobë Iniciativën Qytetare për Obiliqin të Xhafer Gashit.
Sipas vendimit të PZAP, gjoba është shqiptuar për shkak të thyerjes së heshtjes zgjedhore dhe ankesën në PZAP e ka deponuar Lëvizja Vetëvendosje.
“Në ankesën e pretenduar nga Vetëvendosje pretendohet se kandidati për Kuvend Komunal të Obiliqit, Abdyrrahman Krasniqi dhe Alba Mirena përkrahëse e këtij subjekti, kanë thyer heshtjen zgjedhore duke bërë postime në llogaritë e tyre në Facebook, me përmbajtje elektroale”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Sipas PZAP-së, subjekti politik Iniciativa Qytetare për Obiliqin, i ka kundërshtuar pretendimet e ankuesit duke thënë se nuk ka pasur shkelje apo tentim për të thyer heshtjen zgjedhore.
Ndërsa në fund, PZAP-ja e ka cilësuar si të bazuar ankesën e Vetëvendosjes në Obiliq.
Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në Kosovë, të enjten mori vendim për të anuluar procesin zgjedhor për kryetar të kësaj komune.
Në këtë vendim urdhërohet organizim i sërishëm i votimit vetëm për kryetar të komunës.
Zgjedhjet lokale në Kosovë u mbajtën të dielën, më 17 tetor.