Ka bërë bujë fitorja e Besa Famgas ndaj Borcit të Banjallukës të dielën mbrëma në Pejë. Ndeshja kishte ngjallur interesim për shkak të fyerjeve ndaj shqiptarëve në Banjallukë, në ndeshjen e parë mes dy skuadrave.
Besa fitoi me shtatë gola dallim, 29:22, dhe përmbysi rezultatin e ndeshjes së parë, të cilën e fitoi Borci (28:25).
Menjëherë të hënën kampionia e Kosovës në hendboll e mësoi kundërshtarin e radhës. Në raundin e tretë të Kupës Evropiane, Besa takohet me skuadrën rumune Potaissa Turda.
Turda është prej skuadrave më të forta në Kupën Evropiane, niveli i tretë kontinental. Garimin e nis prej raundit të tretë. Ka të kaluar të suksesshme në nivelin e tretë evropian. Në vitin 2018, atëherë në Challenge Cup, Potaissa Turda ishte shpallur kampione. Pengesën e parë e kishte kaluar në Kosovë. Kishte fituar ndaj Trepçës në Mitrovicë me shifrat 35:19 dhe 40:30 dhe kishte shkuar më pas deri në fund.
Në edicionin pasues ishte ndalur në raundin e parë të Kupës së EHF-së (niveli i dytë evropian). Në edicionin 2019/2020 kishte arritur në çerekfinale të Kupës Evropiane, por edicioni u pezullua për shkak të pandemisë. Edicionin e kaluar u ndal në raundin e dytë të Ligës Evropiane (niveli i dytë evropian).
Besa ka një dekadë e gjysmë përvojë në gara kontinentale, por kurrë nuk i ka kaluar dy kundërshtarë në një edicion. Këtë e synon tani, por do ta ketë shumë vështirë.
“Kundërshtar jo shumë i njohur por, siç e dimë, hendbolli rumun është shumë i fortë. Rumunët kanë traditë në hendboll. Prej tash fillojmë ta studiojmë kundërshtarin. Kemi mjaft kohë që të përgatitemi për ndeshjet me Potaissa Turdan”, ka thënë Arben Muqolli, trajner i Besa Famgas.
Rumunët vijnë në Pejë më 27 nëntor. Ndeshja e kthimit është në Turda më 4 dhjetor.
Besa Famgas është skuadra e vetme kosovare që ka kaluar në raundin e tretë të Kupës Evropiane.
Hendbolli në Rumani ka traditë shumë të pasur. Kosova e ka mposhtur Rumaninë në pranverë, ndërsa kishte edhe një barazim ndaj saj. Ndërkohë që përfaqësuesja rumune është larg prej ditëve të saj më të mira, skuadrat nga Rumania kanë nivel të lartë. Kanë në përbërje lojtarë të huaj dhe vlerësohen vazhdimisht në garat kontinentale. Por edhe Besa duket e mobilizuar për të luajtur dy ndeshje të forta me rumunët./Gazeta Enigma/