Napoli e mposht Salernitanën, merr kreun e Serie A

Napoli e mposht Salernitanën, merr kreun e Serie A

Napoli e ka mposhtur 1:0 Salernitanën në një ndeshje ku të dy skuadrat mbetën me nga një lojtarë më pak në fushë, në të cilën Amir Rrahmani bëri një tjetër paraqitje të qëndrueshme në mbrojtjen napolitane.

Piotr Zielinski e shënoi golin e triumfit në Stadiumin Arechi në Salerno, duke i ndihmuar skuadrës së Luciano Spallettit ta marrë kreun e tabelës në Serie A dhe ta ruajë ecurinë pa humbje në sezonin 2021/22, raporton Gazeta Express.

Napoli tani ka 31 pikë në krye të tabelës në Serie A, pas 10 fitoreve nga 11 ndeshje. Milani, që takohet më Romën pak më vonë, është i dyti më 28 pikë, ndërsa kampioni në fuqi Interi i treti më 24 pikë.

Salernitana, klubi i kthyer në Serie A pas 23 vjetëve, është e parafundit në tabelë pas një ecurie të dobët të rezultateve në elitë.

Përfaqësuesi dhe kapiteni i Kosovës, Rrahmani, ishte vendimtar që Napoli të mos pranojë gol as në këtë takim, duke e larguar rrezikun nga zona e Ospinas disa herë, veçanërisht pasi partneri i tij Kalidou Koulibaly u përjashtua nga loja një çerek loje para fundit.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta, skuadra e Spallettit s’e pati asnjë goditje në portë në pjesën e parë.

Zielinski më në fund e theu akullin në minutën e 61-të, kur shënoi nga afërsia pas një topi të kthyer në një tollovi të krijuar në zonën vendase.

Gjërat u përkeqësuan për Salernitanën 20 minuta para fundit, pasi Grigoris Kastanos u përjashtua nga loja për ndërhyrje të ashpër ndaj kundërshtarit.

Vetëm shtatë minuta më vonë, Koulibaly e ndali kundërshtarin si lojtar i fundit duke e tërhequr prej fanelle dhe kjo i kushtoi me përjashtim nga loja.

Rasti më i mirë i vendasve për të barazuar erdhi pikërisht nga kjo goditje dënimi, por gjuajtjen e Franck Ribery e largoi nga vija e portës Di Lorenzo.

Kjo ishte paraqitja e tetë radhazi e Rrahmanit si titullar për Napolin dhe kosovari ia ka shpaguar plotësisht besimin trajnerit të tij italian.

Që prej se Rrahmani e zuri vendin e titullarit në shtator dhe e formoi partneritetin me Kalidou Koulibaly në qendër të mbrojtjes, Napoli e ka pranuar vetëm një gol në Serie A në tetë ndeshje.

Kapiteni i Kosovës, përveç ndihmës së madhe në mbrojtje, iu ka ndihmuar napolitanëve edhe me dy gola këtë sezon.

Për më tepër, disiplina e tij në fushë është shembullore, sepse prishtinasi nuk është ndëshkuar me asnjë karton këtë sezon në ligë.

Related Articles